papa-francesco-620x330

“Edhe pse është një vend me shumicë muslimane, Shqipëria nuk është një vend mysliman, por europian, për kulturën e bashkëjetesës dhe historinë që ka pasur!”

Kjo është batuta më e fortë që Papa Françesku ka bërë gjatë fluturimit Tiranë-Romë, pasi përfundoi të dielën e 21 shtatorit, vizitën 11-orëshe në vendin tonë. E më pas shton: “Shqiptari nuk është tolerant, por të bëhet vëlla. Ka aftësinë e vllazërimit, dhe kjo dallohet te bashkëjetesa, dhe bashkëpunimi mes feve: muslimanë, ortodoksë e katolikë, të gjithë bashkëpunojnë si vëllezër”.

Ati i Shenjtë ka pranuar gjithashtu se është befasuar nga mosha e re e popullsisë: “Më kishin thënë që ishte vendi më i ri në Europë, dallohet një kulturë superior, e aftë për të ndërtuar rrugën e paqes, bashkëjetesës dhe bashkëpunimi”.

Papa nuk ka harruar të përmendë edhe mbresën që i kanë lënë martirët shqiptarë.

“Kisha dy muaj që studioja për periudhën e vështirë që ka kaluar Shqipëria, ka qenë një periudhë mizore dhe e tmerrshme. Kur pashë ato fotografitë e martirëve, jo vetëm të katolikëve, por edhe të ortodoksve dhe muslimanëve u preka… I vrisnin sepse pranonin që besonin në Zot. Të tre komunitetet fetare kanë qenë dëshmitarë të vëllazërisë, tha ai.

Gjithashtu Papa pranoi se me vizitën në vendin tonë ka dashur të përçojë një mesazh që shkon përtej kufijve të Shqipërisë. “Kjo është rruga e paqes, e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit!”

Papa Francesku bashkoi politikën e  njerëzit, rilindi Shqipërinë në sytë e botës

Zgjodhi Shqipërinë si vendin e parë në Europë për të vizituar të dielën e 21 shtatorit 2014.

Zgjodhi Shqipërinë, vendin e varfër por me zemër të madhe për ta bekuar, për t’i përcjellë mesazhe, dashurinë dhe paqen e Zotit.  Dhe s’u zhgënjye nga mikpritja: Mori shumë mirënjohje falenderime nga të gjithë katolikë, myslimanë, e bektashinj por dhe lot.

Në 11 orët e qëndrimit në Shqipëri, Papa Francesku bashkoi të gjithë, politikanë të të gjitha krahëve, shqiptarë që i përkasin feve të ndryshme, qytetarë të ardhur nga trojet e tjera shqiptare, por edhe shtetas të huaj.

Një vizitë që i bëri jehonë gjithë mediat ndërkombëtare, jo vetëm për mesazhet e Papa Françeskut, por edhe për pritjen befasuese që realizoi Shqipëria.

Ati i Shenjtë dha mesazhe për të gjithë.

Për politikën që të bashkëpunojë, për krerët e kominiteteve fetare që sëbashku ti drejtojnë qytetarët drejt Zotit, në mënyrë që askush të mos e përdorë atë për të marrë jetë njerëzish.

Për të gjithë shqiptarët që të ruajnë harmoninë fetare si një pasuri të rrallë që kemi.
Ishte një vizitë homazh për klerikët që u martirizuan gjatë diktaturës komuniste. Papa Françesku madje u përlot nga rrëfimi i të perskutuarve për shkak të fesë gjatë diktaturës, mes tyre edhe Dom Ernest Troshani.

Një mesazh të qartë dha edhe për të rinjtë: Jeni e ardhmja e vendit, fluturoni lart, por kthehuni sërish në fole.

Vizita e Papës u mbyll me një fjalim të kryeministrit Edi Rama nga aeroporti i Rinasit, ku ra në sy falenderimi për kreun e shteti Bujar Nishani dhe kreun e bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Një falenderim që duket se zbut pak klimën e tensionuar mes institucioneve dhe kampeve politike, dhe që mund të shihet si reflektim i mesazheve të Papa Françeskut, që natyrisht duhet të shkojë më tej për të pasur një bashkëpunim që e kërkojnë të gjithë.