Ndërsa pjesa më e madhe e shteteve u janë përgjigjur shifrave në rritje të të infektuarve duke ashpërsuar masat anti-Covid, në vendin tonë vijojnë të jenë në fuqi masat e përcaktuara qysh prej muajit nëntor.

Numrat në rritje të të infektuarve, kryesisht pas javës së dytë të janarit, nuk kanë sjellë asnjë masë të re shtrënguese apo kufizim të lëvizjes, duke rritur rrezikun për përkeqësimin e mëtejshëm të situatës. Ç’ka e bën edhe më tepër serioze situatën janë dyshimet për përhapjen e “virusit anglez”, i cili ka një shkallë më të lartë transmetueshmërie, si edhe agresiviteti. Por pavarësisht kësaj, Komiteti i Ekspertëve ka gjykuar të mos ndryshojë asgjë në planin e masave.

RASTET

Për të dytën ditë radhazi janë regjistruar më shumë se 1 mijë raste të reja me COVID19. “Janë kryer 3974 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 1052 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 486 raste në Tiranë, 73 në Vlorë, 48 në Durrës, 43 në Fier, 35 në Sarandë, nga 26 raste në Shkodër, Lushnjë, 22 në Berat, 21 në Kukës, 20 në Krujë, nga 19 raste në Elbasan, Lezhë, 17 në Kamzë, nga 15 raste në Kurbin, Mallakastër, nga 11 raste në Korçë, Gramsh, Kuçovë, nga 10 raste në Gjirokastër, Delvinë, 9 në Shijak, nga 8 raste në Mirditë, Tepelenë, nga 7 raste në Pogradec, Ura Vajgurore, nga 6 raste në Divjakë, Dibër, Malësi e Madhe, nga 5 raste në Peqin, Memaliaj, nga 4 raste në Kavajë, Përmet, Vau i Dejës, nga 3 raste në Pukë, Bulqizë, Himarë, Kolonjë, Vorë, Cërrik, Poliçan, Këlcyrë, nga 2 raste në Has, Malësi e Madhe, Skrapar, nga 1 rast në Devoll, Tropojë, Librazhd, Patos, Dropull”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.

FATALITETET

E enjtja ka regjistruar edhe një numër rekord fatalitetesh. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 14 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19 në spitalet COVID. 7 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Durrësi, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Librazhdi, 1 qytetar nga Bulqiza, 1 qytetar nga Kurbini, 1 qytetar nga Korça, të moshave 56-87 vjeç”. Lidhur me situatën në spitalet COVID, numri i të shtruarve ka shkuar në 408, nga të cilët 18 në terapi intensive e prej tyre 4 të intubuar.

SHIFRAT E FRIKSHME, ISHP: NUK PO RESPEKTOHEN MASAT

Tejkalimin e tavanit të infektimeve Instituti i Shëndetit Publik ua atribuon qytetarëve që nuk respektojnë masat e rekomanduara nga ekspertët. “Numri i rasteve rritet sepse njerëzit kanë rritur kontaktet me njëritjetrin, nuk përdorin maska, lokalet janë të mbushura”, deklaron Rovena Daja, eksperte pranë ISHP-së, duke shtuar se rreziku i infektimit në kryeqytet është në çdo cep të tij. “Nuk është se ka vetëm një vatër infektimi, ose dy apo tre. Në të gjithë Tiranën kemi përhapje. Incidenca ka qenë 321 dhe aktualisht ka vajtur në 432 për 100 mijë banorë”. Një tjetër e dhënë alarmante është ulja e moshës së të prekurve në 20-24 vjeç./panorama