Janë të shumta pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale për shpërthimin në Stamboll. Në disa prej tyre shfaqet fotoja e një gruaje të mbuluar e cila dyshohet si autorja e sulmit. Sipas të njëjtave burime kjo grua bën lëvizje të dyshimta.

Edhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bëri të ditur se informacionet e para flasin se në sulm është përfshirë një grua. Sipas tij ajo ka pasur rol të rëndësishëm në sulmin terrorist.

“Autorët e këtij sulmi të tmerrshëm do të demaskohen. Le të jetë populli i sigurt se autorët të dënohen. Përpjekjet për të futur në grackë Turqinë dhe për të shkaktuar terror nuk do të kenë sukses sot apo nesër,” – tha Erdogan.

Nga shpërthimi në Stamboll, të paktën 6 persona kanë humbur jetën dhe 81 të tjerë janë plagosur. Ngjarja u shënua në një rrugë tregtare në zonën e Sheshit Taksim. Zyrtarisht ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi shpërthimin. Erdogan tha se akt “mban erë terrorizëm” dhe se autorët do të ndëshkohen.