Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogum, Miroslav Lajçak siguruan se bashkëpunimi ndërmjet SHBA-së dhe BE-së sa i përket dialogut Kosovës-Serbi “është i shkëlqyeshëm dhe nuk mund të ishte më i mirë”. Palmer dhe Lajçak qëndruan në Kosovë, ku u takuan me zyrtarët institucionalë dhe politikë, me qëllim që të përgatisnin takimin e parë të nivelit të lartë, ndërmjet kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq, që pritet të mbahet pas “disa ditësh” në Bruksel.

Më herët, takimi Kurti-Vuçiq ishte paralajmëruar se do të mbahej diku nga mesi i muajit qershor.

Palmer: Palët vendosin për kompromiset në dialog

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Palmer tha të martën në Prishtinë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë qëllimi kryesor i dialogut mes dy shteteve.

“Sa i përket qëllimit përfundimtar, ne vazhdojmë të besojmë se është njohja e ndërsjellë ajo që do ta lë pas këtë çështje dhe do të hapë rrugën drejt Evropës”, tha Palmer gjatë konferencës të përbashkët për media me Lajçakun.

Duke komentuar një letër që presidenti amerikan, Joe Biden i dërgoi presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, ku thuhej se për përmbylljen e dialogut kërkohet “fleksibilitet dhe kompromise të vështira”, Palmer tha se për kompromiset e mundshme duhet të vendosin palët.

“Nuk është në dorën e SHBA-së që të identifikojë se cilat do të duhej të ishin kompromiset e nevojshme, parametrat e negociatave. Kjo nuk është as punë e mikut tim Lajçak. Kjo u takon palëve. Dialogu nuk udhëhiqet nga SHBA-ja e BE-ja, por udhëhiqet nga palët. Dialogu lehtësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja. Prandaj, u takon palëve të formësojnë dhe të pajtohen për parametrat e dialogut dhe të ndihmojnë që procesi të ecë përpara. Ne jemi këtu për të mbështetur, inkurajuar dhe avokuar teksa procesi ecën përpara”, tha Palmer. Ndërkaq, sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Palmer tha se ky asociacion duhet të formohet ashtu siç pajtohen palët.

Lajçak: Vit me potencial për raportet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

I dërguari i bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se vizita dyditore në Prishtinë, kishte për qëllim që të siguronte që takimi Kurti-Vuçiq të jetë i suksesshëm.

“Këto takime ishin shumë të dobishme dhe na ndihmojnë ne që të përgatitemi për takimin (në Bruksel)”, tha Lajçak.

Kurti: Dialogu duhet të sjellë njohje reciproke

Ai shtoi se ky vit ka “potencial që të jetë një vit i mirë për marrëdhëniet BE-Ballkan Perëndimor. Ka një rritje të interesimit për rajonin në mesin e udhëheqjes së BE-së dhe shteteve anëtare”.

Kurti: Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion njëetnik

Të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk ka presion sa i përket rinisjes së dialogut.

“Nuk kam presion. Ka diskutime të vazhdueshme. Dialogu do të jetë parimor, do të jetë i drejtë ku Kosova nuk është objekt në tryezë, por palë në bisedime dhe me dijen programin tonë, me ndërgjegjen dhe përgjegjësinë që kemi treguar, do të përfaqësojmë Kosovën”, tha Kurti, teksa foli për mediat nga qyteti i Prizrenit. I pyetur për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve edhe veprimet e atëhershme opozitare si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion njëetnik. Pra, është e domosdoshme ti integrojmë të gjithë qytetarët pa dallim etnie të mos krijojmë ngrehina të cilat i ndjanë e përçajnë ata”, tha Kurti.

Takimet me krerët shtetërorë dhe politikë

Palmer dhe Lajçak më 31 maj zhvilluan takime me liderët institucionalë dhe politikë në Kosovë. Pas takimit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se pret që bisedimet të përfundojnë me njohje të ndërsjellë, por duke respektuar integritetin territorial të Kosovës, rregullimin e brendshëm kushtetues dhe shtetëror si dhe funksionalitetin e vendit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se bashkëpunimi mes SHBA-së dhe BE-së për dialogun është “i mirëseardhur, sepse është i domosdoshëm”. Ndërkaq, partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kërkuan nga Palmeri një rol më të madh të Shteteve të Bashkuara në dialogun me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është thënë se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. SHBA-ja, gjatë administratës së Donald Trumpit kishte emëruar Richard Grenellin të dërguar të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Në kuadër të përpjekjeve amerikane për normalizimin e marrëdhënieve, më 4 shtator, 2020, në Shtëpinë e Bardhë u arrit një marrëveshje për normalizimin ekonomik mes dy shteteve. Kjo marrëveshje, veç tjerash, parasheh disa projekte infrastrukturore, siç janë linja ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit, autostrada mes dy shteteve dhe lidhjet hekurudhore./Rel