Projektpaketa fiskale e vitit 2023 nuk sjell ndryshime thelbësore në ligjet e tatimeve përveçse i rrit se tepërmi penalitetet për disa kategori dhe veprime të bizneseve.

Ndryshimet fiskale vitin që vjen marrin në konsideratë masa fiskale për drutë e zjarrit, akumulatorët e paneleve diellorë dhe pajisjeve elektrike. Gjithashtu vitin që vjen gjobat rriten nga 2 deri në 10-fish për të raste të evazionit. Më poshtë janë të gjitha ndryshimet fiskale që u hodhën dje në konsultim nga Ministria e Financave.

Vendosen kufizime në gjendjen e arkës

Tatimpaguesi, që lëshon faturë, detyrohet në fillim të çdo dite pune dhe para lëshimit të faturës së parë, të paraqesë informacionin mbi shumën fillestare të parave cash në arkë për çdo pajisje elektronike të faturimit.

Tatimpaguesi duhet të paraqesë në të njëjtën mënyrë edhe çdo ndryshim të shumës së parave cash në arkë gjatë ditës së punës.

Projektpaketa fiskale për vitin 2023 parashikon që tatimpaguesi, që lëshon faturë, detyrohet që t’i depozitoje në llogarinë e vet bankare ose në llogarinë e tij të hapur në institucione të tjera financiare jobankare, shumat të cilat tejkalojnë nivelin maksimal të arkës, si më poshtë:

– Tatimpaguesit me qarkullim vjetor, gjatë vitit të kaluar, deri në 2 milionë leke, deri në 55.000 lekë;

-Tatimpaguesit me qarkullim vjetor, gjatë vitit të kaluar, mbi 2 milionë dhe deri në 10 milionë lekë, deri në 250.000 lekë;

– Tatimpaguesit me qarkullim vjetor, gatë vitit të kaluar, mbi 10 milionë leke, deri në 500.000 lekë ose 2 % të qarkullimit vjetor të vitit të kaluar, cilado qoftë vlera më e lartë;

-Nga rregullat e mësipërme përjashtohen vetëm tatimpaguesit që kryejnë transaksione këmbimi monedhe, për ta përcaktohet maksimumi i arkës deri në shumën 1.700.000 lekë.

Dyfishohet gjoba për mosdeklarim të punonjësve

Rriten penalitetet për tatimpaguesit entitete për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehje të pagës.

Në legjislacionin aktual penaliteti është 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për të gjithë tatimpaguesit.

Në ndryshimet e reja bëhet 200 % të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit entitete juridike dhe 100 % të detyrimit dhe kontributit për të gjithë tatimpaguesit e tjerë. Sipas Ministrisë së Financave ky ndryshim vjen si rezultat i domosdoshmërisë për ashpërsimin e penaliteteve për këtë kategori shkeljesh dhe tatimpaguesish.

Ulet gjoba për deklaratën individuale

Paketa fiskale 2023 rishikon nivelin e gjobës për mosdorëzimin në afat të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave për individët nga 5.000 lekë që është aktualisht në 3.000 lekë.

Gjithashtu do të nisë hartimi i kuadrit të nevojshëm ligjor mbi procedurat që do të ndiqen nga administrata tatimore për kontrollin e tatimpaguesve me të ardhura të larta.

Hiqet Akciza për artikullin Akumulatorë (bateri)

Në projektpaketën fiskale të vitit 2023 do të hiqet nga lista e produkteve të akcizueshme e artikujve të nomeklaturës se mallrave, artikujt e kreut 8507 të nomeklaturës së mallrave konkretisht artikullin akumulatorë të cilët përdoren për panelet diellore dhe makineritë elektrikë.

Përjashtime nga TVSH-së për drutë dhe donacionet

Paketa fiskale e vitit që vjen parashikon përjashtimi nga TVSH i fondeve të marra në bazë të një marrëveshje donacioni/granti, të lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave/Republikës së Shqipërisë dhe donatorëve të huaj.

Parashikohet përjashtim për:

– Trajtimin e furnizimeve të mallrave/shërbimeve, të destinuara për realizimin e projekteve si furnizime të përngjashme me eksportet.

-Përjashtimin nga TVSH-ja në import apo furnizimi brenda vendit i energjisë elektrike të destinuar për t’u shitur nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë.

Gjithashtu paketa fiskale merr në konsideratë përjashtimin nga TVSH-ja në import apo furnizimi i druve të zjarrit për periudhën 1 Janar – 31 Dhjetor 2023.

Përfshirje në TVSH e energjisë

Paketa fiskale 2023 merr ne konsideratë kalimin e përgjegjësisë për pagesën e TVSH-së, personit të tatueshëm për të cilin kryhet furnizimi me energji elektrike nëpërmjet mekanizmit të revers charge (autongarkeses) dhe një skemë e veçantë për Bursën Shqiptare për tregtimin e Energjisë.

Hiqet fasha e akcizës për birrën

Projekt-paketa e vitit 2023 unifikon akcizën për Birrën (prodhues vendas e të huaj), pavarësisht sasisë së prodhimit. Akciza do të jetë nga 360 lekë/HL, në 710 lekë/HL/shkallë alkoolometrike.

Sipas ligjit aktual prodhuesit me kapacitet prodhimi nën 200 mijë hektolitra paguajnë 15 lekë akcizë për litër, ndërsa mbi këtë kufi 30 lekë për litër.

Vendosja e fashës në akcizës ndaj birrës fillimisht kishte qëllim për të mbrojtur birrën vendase nga importi, me vonë gjatë zbatimit u bë shkak për evazion, pasi fasha u shfrytëzua për nënraportim. Madje edhe birrat e importit shpesh përfitonin nga akciza e ulët duke raportuar kapacitet prodhimi më pak se 200 mijë hektolitra.

Hiqet taksa e hirrës

Hiqet taksa e hirrës së qumështit dhe taksa e kremit të qumështit respektivisht 150 lekë për kilogram. Tregu i bulmetit është nën presion nga mungesa e prodhimit vendas nga rënia numrit të bagëtive. Edhe vitin e kaluar qeveria u tërhoq nga vënia e një takse mbi importet e qumështit pluhur./ Monitor