Në një situatë të tillë si ajo e lidhur me pasojat e pandemisë, edhe klubi më i fortë ekonomikisht në futbollin italian është i detyruar të mbrohet. Paga vjetore neto e Cristiano Ronaldos prej 31 milionë euro është një kosto e papërballueshme edhe për Juventusin. Për momentin, është e komplikuar të mendosh për një vit tjetër të CR7 me bardhezinjtë dhe qendërsulmuesi i ri tashmë është identifikuar. Është një mani e vjetër e Juventusit: Mauro Icardi.

Ronaldo mund të transferohet në Paris. Zërat për interesimin e PSG vazhdojnë prej kohësh, edhe pse emirët e devijuan vëmendjen e tyre tek Leo Messi sapo mësuan për gatishmërinë e tij për të lënë Barcelonën. Sidoqoftë, CR7 ka gjithnjë gati alternativën MLS, me Inter Miami të Beckham i cili tashmë ka bërë të ditur se dëshiron një emër të fortë si ai i portugezit për të promovuar markën e tij në të gjithë botën. Negociatat Juve-Psg për Icardin, sidoqoftë, varen krejtësisht nga destinacioni i Ronaldos në të ardhmen. Drejtuesit bardhezinj kanë provuar në disa raste të marrin ish-sulmuesin e Inter, por verën e ardhshme mund të jetë koha e duhur, duke pasur parasysh që parisianët nuk do të rezistonin për të mbajtur një lojtar që ka marrë shumë pak hapësirë në sezonet e fundit

Icardi i kushtoi PSG 50 milionë plus 8 bonuse. Zgjidhja për ta sjellë atë në Torino mund të jetë ajo e një huazimi me të drejtën e blerjes sezonin pasardhës ose atë pas tij. Në këtë mënyrë Juventus do të shpërndante investimin ndër vite. Por vullneti për të ndërhyrë tek pagat nuk ka të bëjë vetëm me Ronaldon. Dy lojtarët me parametër zero që mbërritën në verën e vitit 2019, Ramsey dhe Rabiot, kushtojnë shumë dhe drejtuesit e Juventusit po mendojnë t’i shesin. Sigurisht që ekziston idea për të ndërhyrë në mesfushë me Locatellin, tashmë të rezervuar, dhe i konsideruar si regjisori i ardhshëm i Juves. Dëshira për të revolucionarizuar qendrën e mesfushës konfirmohet nga sondazhi i kryer për Barella, që tërboi zikaltrit dhe që është arsyeja e vërtetë e grindjes së famshme midis Paratici dhe Oriali.