E ardhmja e Cristiano Ronaldos tek Juventus varet nga vendimet e javës së fundit të kampionatit italian. Sipas asaj që bën të ditur AS, nëse bardhezinjtë nuk arrijnë të bashkohen në trenin e Champions, kampioni portugez do të largohet nga Torino. Destinacioni është kthimi në dashurinë e dytë pas Sporting Lisbonës: tek Manchester United. Sipas mediave spanjolle, CR7 tashmë ka pasur kontakte me Solskjaer për të folur në lidhje me projektin e tij mbi Red Devils të së ardhmes. Interesi nuk është vetëm në anën angleze, por i ndërsjellë.

Juventusi, pa Ligën e Kampionëve, do ta pranonte me kënaqësi operacionin edhe sepse, pa thesarin e lidhur me garën më të rëndësishme evropiane, atyre do t’u duhej të kursenin mega kontratën e portugezit. Çmimi i kërkuar nga bardhezinjtë është rreth 25 milionë euro që do të ishte i përshtatshëm për arkat e Juves, ashtu si edhe kursimi i 30 milionë në vit nga paga e CR7.

E nëse kjo hipotezë verifikohet, Juventus po shikon me interes merkaton e transferimeve. Bardhezinjtë duhet ende të vendosin për të ardhmen e projektit teknik (Pirlo, sigurisht), por edhe të skuadrës. Kush do të qëndrojë dhe kush do të dëshirojë të shkojë për të kërkuar lavdi diku tjetër. I pari në listë është si gjithmonë Cristiano Ronaldo, i cili mund ti thotë lamtumirë Torinos në rast moskualifikimi. Për këtë arsye, sipas gazetës sportive katalanase Sport, Juve i ka hedhur sytë nga Antoine Griezmann.

Operacioni, në këtë rast, nuk do të ishte i lehtë. Para së gjithash sepse do të gjente kundërshtimin e vetë lojtarit që dëshiron të qëndrojë në Barcelonë dhe të luajë ende shanset e tij. Në këto sezone ai sigurisht nuk ka treguar vlerën e tij më të madhe. Griezmann, i cili ka një kontratë që skadon në 2024, me siguri do të ishte një blerje e madhe, duke pasur parasysh moshën e tij të re dhe cilësitë e shkëlqyera të treguara. Por, të mos luash në Champions League nuk do të ishte një kartë prezantimi e mirë.