Opozita maqedonase ka bllokuar miratimin e disa ligjeve në Kuvend që kanë të bëjnë me nismën “Open Balkan”.

Marrëveshjet për qasje të lirë në tregun e punës, për bashkëpunim në fushën e mjekësisë veterinare dhe të sigurisë ushqimore, si dhe për ndërlidhje dhe identifikim elektronik, janë bllokuar në komisionet e Kuvendit maqedonas që drejtohen nga partia opozitare, VMRO DPMNE.

Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski, tha të mërkurën se propozim-ligjet nuk do të kalojnë për miratim në seancë plenare. Kjo pasi Qeveria nuk e informon opozitën se për çfarë nisme bëhet fjalë dhe cili është qëllimi i Ballkanit të Hapur.

Ai tha se pret nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski, që ta ftojë në takim. Dhe, t’i sqarojë se çfarë kërkon Maqedonia [e Veriut] në një grupi rajonal me Serbinë dhe Shqipërinë.

“Kur të marrim të dhëna se cili është qëllimi i iniciativës dhe çfarë sjell ajo për vendin tonë, atëherë mund të ulemi dhe të flasim më konkretisht për mbështetje apo mos mbështetje”.

“Kam dëgjuar në një sqarim se nisma se është për bashkëpunim të fqinjësisë së mirë, por shpesh shtroj pyetjen se si kufizohn dy nga këto tre vende që janë në Ballkanin e Hapur”, ka deklaruar Mickoski, duke aluduar në Shqipërinë dhe Serbinë të cilat nuk kufizohen me njëra tjetrën.

Mazhoranca kërkon votat

Lidhja Social Demokrate, e cila drejtohet nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski, i bëri një kërkesë VMRO-DPMNE-së. Që t’ua mundësojë ratifikimin e këtyre marrëveshjeve.

“Bëhet fjalë për marrëveshje me ratifikimin e të cilave qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë do të kenë mundësi të punojnë në cilindo nga tre vendet pa marrë leje pune, pa asnjë pengesë, pa aplikime dhe pritje, pa kosto administrative. Këto marrëveshje do të ofrojnë vende të reja pune, duke plotësuar mungesën e personelit në sektorin privat në secilin prej tre vendeve”, ka deklaruar Mile Taleski, deputet i LSDM-së.

Nisma Ballkani i Hapur është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik. Ajo është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ballkani i Hapur është thënë se synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kosova, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e saj, shkruan REL.