isa boletini_1
Këshilli Organizativ për ceremoninë e rivarrosjes së Isa Boletini ka pezulluar përkohësisht aktivitetet, për shkak të zhvillimeve të fundit në ndryshimin e vendit të rivarrosjes së heroit kombëtar.
Këshilli Organizativ duhet të mblidhej të martën për të finalizuar detajet e organizimit të ceremonisë për rivarrimin e eshtrave të Boletinit në qytetin e Vlorës, ashtu siç është marrë vendim javën e kaluar.
Por, tërheqja e familjarëve të heroit nga vendimi për rivarrosjen e tij në qytetin bregdetar, si dhe kërkesa e Komunës së Mitrovicës për qeverinë që të tërhiqet nga vendimi, ka bërë që Këshilli të mos mblidhet këtë të martë.
“Tani, me këtë realitet të ri, ne presim një udhëzim nga qeveria, sepse ne jemi një këshill organizativ qeveritar. Presim pikërisht këtë udhëzim që pastaj të thërrasim mbledhjen tjetër dhe të marrim një vendim në bazë tërrethanave të krijuara”, deklaroi Ibrahim Shala, zëdhënës i Këshillit Organizativ.
Shala beson se familja e heroit Isa Boletini, por edhe Komuna e Mitrovicës duhet të harmonizojnë qëndrimet me dy qeveritë shqiptare dhe të dalin me një vendim unik për ceremoninë e rivarrimit.
“Unë nuk jam i mendimit se familja duhet të veprojë më vete, pa harmonizuar veprimet dhe qëndrimet me qeverinë, qoftë atë të Kosovës, qoftë të Shqipërisë, sepse është në interes të dy qeverive, komunës, por edhe të vetë familjes që të jenë sa më unik në vendimin që do të marrin, qoftë një vendim i ri ose ai ekzistues”, vijoi Shala.
Shala tha se Këshilli Organizativ tashmë ka përfunduar shumicën e përgatitjeve dhe varësisht prej vendimit të qeverisë së Kosovës në konsultim me Qeverinë e Shqipërisë përgatitjet për ceremoninë përmbyllen shumë shpejt.
Qeveria e Kosovës deri tani nuk ka dalë me një qëndrimin final, nëse do të përfillë kërkesën e Komunës së Mitrovicës dhe familjarëve të heroit Isa Boletini, që eshtrat e tij të rivarrosen në fshatin Boletin, në veri të Mitrovicës.
Të kontaktuar nga Top Channel, askush në qeverinë e Kosovës nuk ka dashur të flasë për këtë rast, me arsyetimin se kryeministri është duke u konsultuar me të gjitha palët, për të marre një vendim final. Mësohet se aktualisht eshtrat e heroit i zotëron familja e tij.