“Variantet e Covid-19 duhet të riemërtohen me shkronjat e alfabetit grek për të shmangur stigmatizimin e kombeve në të cilat janë zbuluar për herë të parë”.

Kjo u njoftua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke specifikuar që sistemi i ri zbatohet për variantet me interes më të madh, për katër më shqetësueset që janë në qarkullim dhe variantet e nivelit të dytë që po monitorohen.

“Ata nuk do të zëvendësojnë emrat ekzistues shkencorë, por synojnë të ndihmojnë në diskutimin publik,” tha Maria Van Kerkhove, menaxhere teknike e OBSH-së për Covid-19. Me sistemin e ri, i ashtuquajturi variant britanik B.1.1.7 bëhet Alpha; B.1.351 i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut bëhet Beta, ndërsa varianti braziliani P.1 bëhet Gama.

I ashtuquajturi variant indian B.1.617 ndahet në nën-linja, prej të cilave varianti B.1.617.2 bëhet Delta.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dha sot aprovimin emergjent të vaksinës kineze Sinovac, duke siguruar që ajo është në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë, efikasitetit dhe prodhimit.