Dani Alves, i rikthyer në Barcelonë në janar, ka dhënë një intervistë shumë të gjatë për Sport, duke u shtrirë mes temave të ndryshme. Nga Mbappé e Haaland te Dembélé, duke kaluar nga trajneri blaugrana Xavi, për të përfunduar te Kupa e Botës në Katar me Brazilin.

Duke folur për tregun e transferimeve dhe një zgjedhje hipotetike mes Erling Haaland dhe Kylian Mbappe, braziliani nuk ka dyshime kur tha se për kë do të vinte bast nëse do të ishte drejtor sportiv: “Sinqerisht, nuk do të hidhja para për Haaland. Për Mbappen, nga ana tjetër, po. Natyrisht që po luaj rolin e drejtorit sportiv, por së pari do të vija bast për Mbappé. Mendoj se është më i kompletuar në të gjitha aspektet. Nëse ekziston synimi për të bërë një investim të madh, ai duhet të bëhet në mënyrën më të mirë. Nëse do të varej nga unë, do të merrja Mbappé. Futbolli i sotëm nuk të jep kohë të presësh që të rinjtë të rriten. Sporti kërkon më të mirën dhe menjëherë. Megjithatë, unë nuk do të isha për shpenzimin e shumë parave për lojtarë të caktuar”.

Kur bëhet fjalë për merkaton, nuk mund të mos përmendet rasti Dembélé. E ardhmja e lojtarit blaugrana është e pasigurt, por Dani Alves nuk beson se 24-vjeçari duhet të bindet për të qëndruar, ai duhet të dijë se është në klubin më të mirë në botë: “Për çfarë duhet ta bind? Barcelona është klubi më i mirë në botë, ai ka mundësinë të përjetojë një histori të bukur. Nuk kam pse ta bind për asgjë, njerëzit janë zot të fatit të tyre. Tashmë është në vendin më të mirë të mundshëm”.

BARCELONA, SEKRETI I XAVI
Anësori brazilian foli më pas për ish-shokun e skuadrës, tani trajner i Barcelonës, Xavi. Skuadra padyshim që ka ndërruar marshin që nga ardhja e tij dhe Alves shpjegon sekretin e ish-mesfushorit: “Sekreti i Xavit është puna e fortë. E vetmja gjë që ka ndryshuar është se ai tani është trajner, por këndvështrimi i tij është i njëjtë me atë kur luante. Ne po punojmë shumë. Është hera e parë që kur jam te Barça që punoj kështu. Me asnjë nuk kemi punuar kaq shumë fizikisht”.

Stërvitjet e Xavi janë edhe më intensive se ato të Guardiolës: “Është e rëndësishme të theksohet se futbolli ka ndryshuar. Guardiola kishte shumë lojtarë të mirë dhe ne nuk duhej të vraponim lart e poshtë. Skuadra rikuperonte shumë topa në gjysëmfushën kundërshtare. Tani herë pas here duhet të vrapojmë dhe për këtë duhet një punë e mirë fizike. Dhjetë vjet më parë kam thënë se Xavi do të ishte Guardiola 3.0 i Barçës”.

DANI ALVES E BOTËRORI NË KATAR
Ka vend për të folur edhe për Brazilin dhe Botërorin. Dani Alves dëshiron të fitojë të vetmin trofe që i mungon: “A do të jetë sfida ime e fundit e madhe? Jo e fundit, por është e rëndësishme për mua. Të mund të jesh në gjendje të kërkosh të fitosh edhe një herë. Do të përpiqem të fitoj të vetmin trofe që më mungon, edhe pse është e qartë se ka skuadra të tjera shumë të forta. Ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë. Mendoj se kemi një ekip të aftë për të luftuar për titull. Kemi cilësi, është një grup që ndërthur përvojën dhe rininë. Por së pari duhet ta meritoj thirrjen”.

Objektivi është vetëm një, fitorja dhe Brazili do të bëjë gjithçka për të fituar Kupën: “A është mirë edhe nëse e fiton miku im Messi? Jo, jo dhe absolutisht jo. Nuk do t’ia jap askujt këtë mundësi sepse dua ta fitoj unë. Kupa e Botës duhet të jetë e jona, e Brazilit. Do të bëjmë gjithçka për t’ia dalë mbanë, përndryshe do të vjedhim trofeun”, e mbylli Alves duke qeshur.