NRG

i grup u themelua në vitin 2000 dhe në gjithë këtë periudhë kohore ata arritën te njëri ndër ‘pop bendet’ më të kërkuara në skenën muzikore shqipe. Janë këta djelmoshat e grupit ‘NRG Band’ të cilët janë të angazhuar maksimalisht në krijimin e këngëve të reja. Të paktën kështu ka treguar vokalisti i këtij bendi Besnik Qaka për gazetën Tribuna, i cili gjithashtu ka folur edhe për angazhimet e grupit në stinën e verës dhe për shumëçka tjetër.
Gjysmën e parë të vitit e filluan me projektin muzikor ‘As pesë pare’, për të vazhduar më pas me hitin e ri ‘Nesër ndoshta s’jem’ që është një ndër këngët më të dëgjuara të kësaj vere. Por, ‘NRG Band’ nuk ndalon me kaq. I pari i këtij grupi Besnik Qaka, në një bisedë për gazetën Tribuna ka pohuar se ky bend që një kohë të gjatë është duke punuar në disa projekte muzikore. Ai gjithashtu ka thënë se një ndër këngët më të reja që do të lansohet për një kohë të shkurtë është kënga në bashkëpunim me një këngëtare kosovare e cila jeton në Gjermani, emrin e së cilës Besniku nuk ka dashur që ta zbulojë pasi ka theksuar se dëshiron që të jetë surprizë për publikun. Madje ai ka shtuar gjithashtu se kënga është në gjuhën angleze dhe kjo këngë është e përgatitur për tregun gjerman. “Jemi duke punuar që një kohë të gjatë në këtë projekt, kënga është në gjuhën angleze dhe është bërë për tregun gjerman. Gjithashtu kjo këngë është duet me një këngëtare nga Kosova, por që jeton në Gjermani” ka thënë vokalisti i bendit. Besniku po ashtu ka treguar se kënga është realizuar edhe me klip i cili është produkt i ‘NRG Entertaiment’ dhe me video nga produksioni ‘Asha’. Për tekstin e kësaj kënge ai ka treguar se është kujdesur vet, kurse ‘beatin’ e këngës e ka bërë ‘Kico n Tourch Music’. Qaka ka folur gjithashtu edhe për albumin dhe ka thënë se për momentin nuk janë duke menduar që të dalin në treg me ndonjë album të ri. “Deri më tash i kemi të publikuara katër albume, kurse sa i përket albumit të pestë nuk kemi menduar ende që ta realizojmë një të tillë, mirëpo kur e shohim momentin e përshtatshëm që të lasnojmë album atëherë ne patjetër se do ta bëjmë atë” ka shtuar ai.
Investojmë shumë që të qëndrojmë si grup
Besniku ka treguar se në sezonin e verës bendi ka qenë shumë i angazhuar në mbrëmje të ndryshme dhe po ashtu ka thënë se më shumë prezent kanë qenë në bregdetin shqiptar. “Më shumë kemi qenë në bregdet të cilin e kemi shfrytëzuar edhe si ‘pushim’” ka theksuar ai. Besniku gjithashtu ka thënë se aktiv kanë qenë edhe me dasma të ndryshme madje ka thënë se ky bend është një ndër të parët që kanë filluar të këndojnë në dasma e që tashmë kjo gjë është bërë ‘trend’ për shumë këngëtarë të tjerë.
“Në dasma kemi kënduar kur kemi qenë të ftuar në ndonjë dasmë të shoqërisë sonë, kjo gjë ju ka pëlqyer të tjerëve dhe kështu pastaj kemi vazhduar edhe në dasmat tjera”, ka pohuar ai. Në gjithë këto mbrëmje dhe dasma ky bend ka pasur edhe përfitime me të cilat Besniku thotë se janë ndarë të kënaqur. “Po mirë, jemi të kënaqur me përfitimet” ka shtuar ai. I pyetur se sa është e vështirë që një grup të qëndrojë në skenë për një kohë kaq të gjatë, Besniku ka thënë se nëse e marrim parasysh sistemin ekonomik në Kosovë është e vështirë që t’ia dalësh si solo artist e lerë më të kesh edhe një bend. Por ai ka theksuar gjithashtu se anëtarët e bendit kanë investuar shumë dhe vazhdojnë të investojnë që ky grup të mos shuhet. “Ne e dimë se çfarë gjendje ekonomike është Kosova dhe është e vështirë që të kesh një grup, mirëpo ne anëtarët e ‘NRG Band’ jemi duke investuar çdo ditë e më shumë, qoftë në aspektin financiar, qoftë në atë profesional, në mënyrë që të qëndrojmë në skenë” ka thënë këngëtari.