Ndodh edhe kështu, kur rezultatet nuk vijnë zgjidhja kërkohet nga Lart. Nuk ka patur mënyrë tjetër për presidentin e Fenerbahçe, që po përgatitet për derbin ndaj Galatasaray, përvec se të kërkojë ndihmë hyjnore. Në javën e 13 të kampionatit turk, “kanarinat” do të përballen në derbin më të zjarrtë të Stambollit. Rezultatet e dobëta javët e fundit kanë demoralizuar Ozil me shokë, por edhe klubin, aq sa presidenti ndërhyri për t’i dhënë fund rezultateve negative. Ali Koç kërkoi një ndërhyrje krejtësisht të jashtëzakonshme për të ndihmuar ekipin e tij. Presidenti, siç raporton “En Son Haber”, ka ftuar një imam në selinë e klubit para derbit. Presidenti Ali Koç i kërkoi imamit të lutej për t’i dhënë fund momentit të keq që po kalon Fenerbahçe.

Presidenti ka dashur të sigurohet se dikush nga atje Lart do ta ndihmojë vërtetë. Për të bërë një pakt edhe më të fortë me Allahun, ai ka ofruar edhe një dhi si dhuratë, e cila u bë kurban në fushën e stadiumit Şükrü Saraçoğlu. Gjaku i kafshës është derdhur në fushë, por edhe në shtyllat e portës, me shpresën se Galatasaray nuk do të shënojë. Presidenti, megjithatë, nuk i ka bërë llogaritë me një detaj të rëndësishëm. Derbi në fakt nuk do të luhet në stadiumin e Fenerbahçes, por në Nef Stadyumu, pikërisht në fushën e rivalëve.