Në nder të politikanit socialist Bashkim Fino, kanë nisur homazhet në Pallatin e Kongreseve, të organizuara nga Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë.

Homazhet nisën rreth orës 12:00, deri në 16:00. Mes personazheve politike që mbërriti në Pallatin e Kongreseve, ishte kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe zëvendëskryeministri Erion Braçe. Fill pas tyre, rreth orës 12: 24, homazheve iu bashkua dhe presidenti Ilir Meta, i shoqëruar nga Edmond Panariti. Mësohet se kryeministri Edi Rama pritet që t’ju bashkohet homazheve në orën 13:00 dhe më pas kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Kujtojmë se Fino humbi jetën në moshën 58-vjeçare, pasi ishte i prekur nga koronavirusi. Pas homazheve, ai do të përcillet sot për në orën 16:00 në varrezat e Sharrës.

“Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë njofton më hidhërim të thellë se sot në orët e para të mëngjesit u nda nga jeta deputeti Bashkim Fino.
Kryesia e Kuvendit i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve dhe njofton se në nderim të deputetit Bashkim Fino, sot, më 29 mars, nga ora 12:00-16:00, do të organizohen homazhe në Pallatin e Kongreseve. Përcjellja bëhet në orën 16:00”, shkruhet në njoftimin e Kuvendit.