Në janar 2022 pritet të nisë rikonstruksioni i Spitalit Infektiv, i kthyer prej 20 muajsh në spital Covid.

Burime të sigurta nga ky spital pohojnë se të gjitha shërbimet dhe të sëmurët do të spostohen në spitalin Covid 3 dhe Covid 4, në autostradën Tiranë-Durrës dhe në Urgjencën Qendrore të Sëmundjeve të Brendshme.

Rikonstruksioni pritet të sjellë zhvendosje të të gjitha urgjencave kirurgjikale drejt Spitalit të Traumës, të cilat do t’i mbivendosen fluksit tejet të madh të urgjencave ditore që pret ky spital terciar.

Krahas Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme që ndërron destinacion, në shërbim të të sëmurëve me Covid do të vihet edhe Shërbimi i Imazherisë, që në këto ditë të dhjetorit po përballet me një fluks tejet të madh pune, si pasojë i agravimit të sëmundjeve të lëna pas dore, si shkak i pandemisë, si dhe nga mosfunksionimi i rezonancës manjetike në Spitalin Neurologjik.

Nuk dihet e përse qeveria ka nisur rikonstruksionin e spitalit infektiv në mesin e një pandemie globale kur Infektivi po përballon pjesën më të madhe të shtrimeve covid e për më tepër ishte kryeministri Edi Rama që u premtoi stafit të infektivit ndërtimin e një spitali të ri infektiv në themelet e spitalit të vjetër pas përmbylljes së pandemisë.