127292

Edhe gazeta “Shekulli” e deputetit të Partisë Socialiste Koço Kokëdhima duket se ka vënë “në rreth të kuq” ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj. Në faqe të parë të kësaj gazete për ditën e mërkurë është vendosur një titull i madh “Tetë denoncime për mjekët” duke i rënë “kambanës së alarmit” për ministrin e linjës. Ilir Beqaj ndodhet kohët e fundit në një furtunë kritikash dhe jo vetëm nga opozita apo kundërshtarët. Tashmë atë po e sulmojnë edhe të vetët. Pa lënë mënjanë debatin e madh për testimin e mjekëve që ka hasur në kundërshtime të forta (dhe që me shumë gjasa do të dështojë), kur nuk mungojnë ankesat e qytetarëve për mungesa ilaçesh dhe shërbimit, pas skandalit të videos së të rinjve në QSUT, tashmë kanë dalë në dritë afera të tjera. Ndaj tij vijnë akuza për korrupsion dhe konflikt interesi.

Konflikt interesi ne importin e barnave?

Përveç titullit në faqe të parë “Shekulli” ka vënë në dispozicion rrëfimet e qytetarëve kundër sistemit shëndetësor duke drejtuar gishtin edhe ndaj ministrit. “Duhet ngrit zëri edhe t’i thonë ministrit të Shëndetësisë? Me çfarë po i mjekojnë pacientët?” – thotë një prej denoncuesve i cituar nga shekulli. Porsa u përket ilaçeve ishte drejtoresha e Farmacise se QSUT, Nervina Sinani që u akuzua fillimisht nga Arian Galdini për mosdhënie të barit të quajtur Avastinë. Ai hodhi dyshime se ilaçi i dhënë prej saj nuk kishte bërë asnjë efekt tek i afërmi i tij i sëmurë. Ajo që del në dritë tashmë është se Nervina Sinani është mbesa Kastriot Zotos, kryetar i shoqatës së importuesve të barnave si dhe një prej grosistëve më të mëdhenj të ilaçeve nga jashtë. A është ky një konflikt interesi?  

Tenderi për helikopterin

E para që vuri në shënjestër ministrin Beqaj ishte gazeta “Dita”, një e përditshme pranë qeverisë e cila hodhi dyshime për tenderin e blerjes së një helikopteri. Më  27 janar ministri Beqaj shfaqej në faqe të parë të kësaj gazete me kokë të lidhur dhe me siguri që pas fakteve për një tender të dyshuar si të manipuluar ai duhet të ketë shumë dhimbje koke. Nën titullin “Hije skandali mbi ministrin Beqaj”, ka zbuluar një aferë që bie era korrupsion të ministrit të Shëndetësisë. Bëhet fjalë për nje tender për blerjen e një helikopteri me vlerë afro 4 milion euro, për të cilin Dita referon fakte se fituesi ishte paracaktuar. “Ministria e Shëndetësisë… ka përcaktuar parametra të atilla që mund t’i përshtateshin vetëm mjetit të piketuar apo të rënë dakord që më parë. E thënë shkurt, tenderi duket një maskim “ligjor” për një blerje të drejtpërdrejtë dhe të paracaktuar. Një helikopter akull i ri nuk vjen dot për 30 ditë; ndërkohë që detaji “i pafajshëm” se mjeti mund të jetë edhe “paksa” i përdorur me deri 50 orë fluturimi (!), duket se e vë gishtin direkt mbi mjetin që duhet blerë. Kritere të tilla kaq specifike në një tender të hapur mbajnë erë më të rëndë se tualetet e spitaleve.”, shkruajti Dita duke iu referuar ankesave të dy firmave të tjera të mirënjohura që u skualifikuan nga gara dhe që kanë denoncuar në ambasadat përkatëse, atë amerikane dhe atë italiane hilet që sipas tyre ministria ka bërë në këtë tender. Në bazë të këtyre ankesave qëndron fakti se ministria e Ilir Beqajt e kishte paracaktuar me kohë fituesin duke vënë parametra që i plotësonte vetëm njëra kompani, “Airbus Helicopter”, që fitoi edhe tenderin.