Bayern Mynih është në kërkim të një sulmuesi për të zëvendësuar Robert Lewandowskin, në thyerje totale të raporteve me klubin dhe i vendosur të largohet nga Gjermania. Bavarezët duket se kanë identifikuar Sadio Manè si zëvendësuesin ideal për polakun dhe tashmë kanë dorëzuar disa oferta te Liverpool, e dyta prej të cilave përfshinte bonuse mjaft të çuditshme. Ndaj, Spartak Moskë e ka parë të arsyeshme të tallet me klubin gjerman me një postim të publikuar në Twitter.

Bayerni iniston për Sadio Manè, por për momentin nuk i është afruar ende kërkesave të Liverpool, që pavarësisht se sulmuesi shkon në skadencë kontrate në vitin 2023, e vlerëson jo më pak se 40 milionë euro. Bavarezët shkuan deri aty sa ofruan gjithsej 35, nga të cilat, megjithatë, vetëm 27.5 në pjesë fikse. Shuma e mbetur do t’u paguhej anglezëve vetëm në rast të arritjes së disa objektivëve krejtësisht surreale: Bayern duhet të fitonte Ligën e Kampionëve tre herë radhazi, dhe në të njëjtët vite Manè duhet të ngrinte lart Topin e Artë. Rrethana padyshim të pamundura dhe që në mënyrë të pashmangshme lëshuan valë talljesh kundër klubit bavarez.

Tallja më fantastike e arritjeve të çuditshme të futura nga Bayern ka ardhur nga Spartak Moskë, i cili publikoi një ofertë (padyshim false), në profilin e tyre në Twitter, sikur bavarezët e kishin dërguar për të blerë kartonin e Aleksandr Sobolev. Ofertë që do të përfshinte 1000 euro bazë fikse, por bonuse të pasura dhe ekzaltuese: 10 milionë në rast të fitores së bavarezëve në Eurovizion; 15 milionë nëse Manchester United arrin të fitojë një trofe; dhe në rast se Real Madrid blen Messin për 20 milionë.

Menaxheri i rrjeteve sociale të klubit rus nuk është i panjohur për batuta të tilla, por këtë herë ai padyshim që ka superuar veten. Megjithatë, duhet pranuar se Bayern e kërkuar pak vetë…