Ish-kreu i sektorit të të rinjve të Barcelonës, Albert Benaiges, u akuzua nga mbi 60 ish-nxënës të një shkolle publike, ku ai punonte, për abuzim seksual. Benaiges është duke u hetuar nga autoritetet spanjolle pas publikimit të akuzave në një gazetë me qendër në Barcelonë. Ish-tekniku i mohoi akuzat. Deri më tani duket se asnjë nga lojtarët e Barcelonës nuk e ka akuzuar për abuzim.

Benaiges punoi në sektorin e të rinjve nga viti 1991 deri në 2011, duke patur në dispozicion shumë kampionë të mëdhenj të katalanasve, mes të cilëve edhe Iniesta. Ai u kthye të punojë për Barcelonën vitin e kaluar, për të dhënë dorëheqjen vetëm javën e kaluar. Trajneri aktual i Barcelonës, Xavi Hernandez, e kishte patur Benaiges si trajner të ekipit, kur luante me moshat. Xavi tha se ishte “i befasuar dhe i habitur” nga akuzat.

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta tha se klubi po analizon informacionin në lidhje me rastin. “Ky njeri, që u largua nga klubi për arsye personale, u punësua për talentin e tij në gjetjen e lojtarëve dhe vlerësimin e talentit të të rinjve”, tha Laporta. “Ajo që klubi po bën është të mbledhë të gjitha informacionet që dalin, në mënyrë që të mund të bëjmë një deklaratë zyrtare”, shtoi ai.