Presidenti rus, Vladimir Putin u tha nënave të ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë se ndan dhimbjen e tyre, por këtë herë nuk shprehu keqardhje për agresionin ndaj Ukrainës, të cilin e quan “operacion special ushtarak”.


Ai dje më 25 nëntor ka pasur një takim me një grup prej 17 nënave të ushtarëve dhe me atë rast u është drejtuar atyre. Në fillim të takimit, i cili u transmetua edhe nga televizioni shtetëror, ai tha se asgjë nuk mund ta zëvendësojë humbjen e djalit të tyre.

 

Në të gjithë Rusinë ka nëna që ankohen hapur se djemtë e tyre janë të stërvitur keq për luftë, se nuk kanë armë dhe veshje të përshtatshme, veçanërisht ato që nevojiten për dimrin e ardhshëm.

 

Disa akuzojnë se një pjesë e ushtarëve janë mish për top, pas një sërë humbjesh ushtarake në muajt e fundit, raporton bbc.

“Askush nuk ka i ka vërë veshin ankesave tona, përkundrazi jepi ndjekur hap pas hapi nga shërbimet sekrete. Kjo gjë e bënë edhe më të vështirë pozitën tonë, më emocionale. Ne vetëm bëjmë thirrje që të ketë më shumë kujdes sepse fëmijët tanë janë nën sulme të vazhdueshme në kufij. Ne nuk mund t’i kthejmë vetë në shtëpi. Aspak nuk i besoi Putinit”, pohoi Olga Tsukanova, nënë e një ushtari rus.

 

Në takimin e djeshëm në Moskë, Putin u tha nënave se ai personalisht, por edhe udhëheqja shtetërore, ndan dhimbjen e tyre.

Ai i tha njërës prej nënave se “disa njerëz vdesin nga vodka dhe jeta e tyre kalon pa u vënë re. Por djali juaj vërtet jetoi dhe ia arriti qëllimit. Nuk vdiq kot”.