Joan Laporta del hapur për Robert Lewandowskin: “Ne kemi bërë një ofertë për të dhe jemi në pritje të përgjigjes, do të shohim nëse është pozitive. Ndërkohë dua të them se e vlerësoj përpjekjen që lojtari po bën për të ardhur këtu”. Presidenti blaugrana, gjatë prezantimit të Christensen, i është përgjigjur edhe zërave për një mesazh shumë të rëndë drejtuar Barçës nga Bayern Mynih (bavarezët nuk e pranojnë ofertën e spanjollëve sepse, duke pasur parasysh situatën e tyre ekonomike, brenda një-dy vjetësh janë të destinuar me falimentim: koncept që i atribuohet një gazetari të Spiegel): “Nuk i besoj këto gjëra, duhet të ketë qenë një shaka gjatë një bisede. Kjo gjë nuk vjen nga Bayerni, të cilin ne e respektojmë. Barça do të mbushë 125 vjeç në vitin 2024 dhe ka pak klube që kanë një histori si e jona”.

Laporta mohoi gjithashtu pakënaqësitë e raportuara, sipas mediave, të Xavit për merkaton e katalanasve: “Sapo fola me të dhe ai më dha entuziazëm, e pashë optimist dhe u përqafuam. Gjithçka është ashtu siç pritej”. Së fundi, për blerjet e ardhshme: “Përpara se 15% e shitjes së të drejtave televizive të hyjë në arkë, ne nuk do të bëjmë asnjë blerje tjetër. Por Barça ka sërish besueshmëri”.