Teksa janë në pritje të dekretimit nga presidenti Ilir Meta, ministrat e rinj të kabinetit “Rama 3” duket se s’kanë me çfarë mbushin kohën prandaj kanë nisur të takohen me njëri-tjetrin. Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e bërë e njohur tashmë për gafat publike dhe adhurimin e madh ndaj Edi Ramës, është takuar me ministren për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali. Kjo e fundit ka postuar foton në rrjetet sociale, ndërsa Muzhazi e ka ripostuar me një koment të shkurtër.

Çfarë thonë? Thjesht i urojnë suksese njëra-tjetrës dhe shprehin bindje se ato do ia dalin në detyrat që iu ka dhënë Rama. Takimi mes tyre të kujton një tjetër takim qesharak në korrik të këtij viti, kur ambasadorja jonë në Athinë priti konsullin shqiptar të Janinës dhe ranë dakord për “forcimin e bashkëpunimit mes Ambasadës dhe Konsullatës”.

Çka duket ashiqare, jo vetëm në këtë rast, por në përgjithësi, është se niveli i përfaqësimit në Qeveri, Parlament apo institucione të tjera, është ulur në një farë feje që të bën të qeshësh e të qash njëkohësisht. ©radionacional.al