Sergio Ramos rikthehet në fushë në Paris, por është pritur në mënyrë armiqësore nga tifozët e PSG-së. Spanjolli u transferua në Francë nga Real Madrid verën e kaluar me parametër zero, por përvoja e tij në Paris, deri më tani, nuk ka shkuar aq mirë. Lojtari pësoi një sërë dëmtimesh, të cilat e penguan të luante rregullisht. Me pak fjalë, një fantazmë që u shfaq në fushë kundër Lorient orët e fundit.

Paraqitja e pestë me fanellën e PSG-së për mbrojtësin spanjoll në kampionat. Me shumë mundësi, shumë pak për tifozët e klubit të Ligue 1, të cilët e pritën armiqësisht në Parc des Princes. Ish-ylli i Real Madrid hyri në fushë në minutën e 72 për të zëvendësuar Marquinhos. Hyrja e tij në fushë u prit me një kor fishkëllimash dhe spanjolli u detyrua t’i dëgjonte sa herë që prekte topin.

FISHKËLLIMAT PËR RAMOS, MENDIMI I POCHETTINOS
Mauricio Pochettino, i pyetur pas ndeshjes për këtë temë, rrëfeu se ishte i befasuar nga sulmet e tifozëve ndaj Ramos dhe tha se mbrojtësi meriton respekt. Sipas trajnerit, megjithatë, sjellja e tifozëve rrjedh nga zhgënjimi i eleminimit nga Champions League: “Fishkëllimat për Sergio Ramos? Të gjithë jemi të prekur, mendoj se është zhgënjimi i tifozëve për rezultatin e Champions League, nuk mendoj se i drejtohen atij direkt. Ai është një kampion i madh, meriton respekt si të gjithë lojtarët e PSG-së”.

Ramos ka bërë vetëm gjashtë paraqitje në të gjitha kompeticionet për PSG-në këtë sezon, aq sa shtypi francez sugjeroi se kontrata e tij fitimprurëse mund të ndërpritet në fund të sezonit.