“Besoj se sot me Vllazninë e fituam ndeshjen. Ngeli topi në vijën fatale. Edhe në Shkodër morëm gol nga goditja standarte në të 87-tën. Deri sa jemi në vendin e dytë, kemi bërë më mirë se ekipet poshtë”. Ilir Daja nuk e fsheh zhgënjimin për baltën që iu bë pengesë për të fituar një ndeshje shumë të rëndësishme. Tekniku i Partizanit shigjeton edhe arbitrat, duke hipotezuar se skuadra e tij është lehtësisht e ndëshkueshme prej tyre, edhe pse është ajo më Fair Play e kampionatit. “Partizani që ka më shumë fair-play ka më shumë kartona – akuzoi Daja -. Do të doja të dija si të sillemi me lojtarët tonë për të ndihmuar arbitrat. Mund të shkonte deri te kartoni i verdhë, sepse kemi parë situata më të rënduara se sa kjo”.

Fakti që mes Partizanit e Vllaznisë kanë mbetur 9 pikë diferencë nuk e dekurajon Dajën, që mundohet ta shohë gotën gjysëm plot: “Për deri sa sot pothuajse të gjithë pjesën e dytë e kemi mbajtur Vllazninë në gjysmëfushën e vetë, shpresojmë ta rivalizojmë. Janë edhe 2 faza të tjera, janë shumë pikë në lojës. Të fitojmë ndeshjet e më pas të shikojmë çfarë mund të bëjë Vllaznia. Jemi në vend të dytë, këtë pozicion e kemi mbajtur thuajse që nga fillimi” tha tekniku kryeqytetas.

Në fund edhe një sqarim për largimin e Solomon dhe hipotezës se mund ti ketë prishur punë skemave të skuadrës, pikërisht përpara ndeshjes për titull: “Nuk e kemi përgatitur javën me Solomonin. Kishim marrë vendimin edhe me aprovimin e tij që do të largohej. E kemi përgatitur që në fillim javën me Çinarin. E përshëndes Solomonin për gjestin njerëzor që erdhi na takoi në hotel edhe pse e kishte mbyllur me Partizanin dhe e falenderoj për atë çfarë ka dhënë” përfundoi trajneri i Partizanit.