“Vitin tjetër do të luaj këtu, në Spanjë”, tha Erling Haaland gjatë një udhëtimi në Marbella vetëm pak ditë më parë dhe tani më shumë konfirmime vijnë nga Anglia: sulmuesi norvegjez i Borussia Dortmund ka zgjedhur Real Madrid si destinacionin e tij të ri. Sipas asaj që raporton Mirror, në faqen e parë, Haaland ka vendosur të shkojë të luajë për skuadrën e Ancelottit (që ndërkohë po punon edhe për blerjen e Kylian Mbappe) dhe vendimi i tij i ka dhënë një goditje të rëndë Pep Guardiolës, i cili e kishte evidentuar atë si zëvendësuesin e Agueros, pas refuzimit të Kane për t’u larguar nga Londra verën e kaluar.

Florentino Perez synon të formojë një dyshe sulmi yjor, që do t’i bënte të gjithë tifozët e Realit të rijetojnë vitet e ‘galaktikëve’ dhe, sipas asaj që mësohet, ai ka gjashtë muaj që punon për nënshkrimin me norvegjezin, aq sa e ka bërë të refuzojë të gjitha destinacionet e tjera të mundshme (Manchester City, Manchester United, Barcelona dhe PSG).

Detajet që vijnë nga Anglia kanë mbërritur pas fjalëve të shefit ekzekutiv të Borussia Dortmund, Hans Joachim Ëatzke, i cili në një intervistë për Der Spiegel garantoi se një lamtumirë e Haaland në janar “është e pamundur”, por edhe duke supozuar se “do të jetë e vështirë ta ndalosh atë”. “Megjithatë – shtoi ai – ne duam ta bëjmë dhe do të përpiqemi”. Sulmuesi norvegjez ka një klauzolë lirimi prej 75 milionë euro që do të jetë e vlefshme nga qershori, e me këtë shifër Real mund ta sjellë atë në Madrid bashkë me Mbappen, kontrata e të cilit me PSG do të skadojë në verë.