rama-meta-c1200x600 (1)
Edi Rama dhe Ilir Meta patën një tjetër takim sot, i dyti brenda 4 ditësh, pas atij të së shtunës që u zhvillua me urgjencë menjëherë pas ardhjes së kryeministrit nga Nju Jorku. Ndyshimet në qeveri dhe çështja CEZ ishin dy temat që u diskutuan mes tyre në fundjavë, siç konfirmuan për lapsi.al burime nga të dyja palët.

Largimi i disa ministrave nga kabineti qeveritar është një kërkesë e LSI. Është e kuptueshme kjo nga deklaratat publike të dy krerëve të mazhorancës.

Edi Rama këmbënguli pas takimit të së shtunës se nuk do ta ndryshojë qeverinë.

Ilir Meta tha të hënën se në qeveri duheshin implulse të reja. Dhe duket se ai nuk ka ndërmend të ndalet. Një ditë më parë për impulse të reja foli edhe ministri i tij i Drejtësisë, Nasip Naço.

Mediat pranë LSI kanë raportuar listën e emrave të ministrave që Meta i kërkon Ramës t’i largojë. Sigurisht janë ministra të PS –së. Javanews e këshilltarit politik të Metës, Lorenc Vangjelit shkruante një ditë më parë se Meta kërkon largimin e ministrave Gjiknuri e Ahmetaj, për shkak se dyshon se ata kanë përgjegjësi në daljen e informacionet për çështjen CEZ – DIA.

Edhe Saimir Tahiri është në listën e zezë të Metës, pasi kreu i LSI dyshon se Ministri i Brendshëm ka nxitur arrestimin e Kastriot Ismailajt dhe se komploton tek ndërkombëtaret kundër tij. Atij nuk i pëlqejnë më as Shkëlqim Cani e Ilir Beqja, për performancë të dobët.

Edhe takimi i sotëm në zyrën e Metës, që zgjati për afro 1 orë, duket se është zhvilluar në këtë kontekst.

Dy aleatët kanë tentuar këto ditë të tregojnë se koalicioni funksionon, pavarësisht problemeve. Javën e shkuar tensionet mes tyre arritën kulmin kur Ilir Meta u takua me Shpëtim Idrizin për të treguar forcën e kartonave në parlament apo kur nga Skrapari i lëshoi sinjale të qarta Ramës se mund ta çonte në opozitë.

Menjëherë pas këtyre paralajmërimeve vrulli i akuzave ndaj Metës ra. Nga mazhoranca, disa ministra e deputetë, madje edhe vetë Rama nga Nju Jorku nxituan të dalin e të flasin publikisht për “funksionim normal të koalicionit” për herë të parë që pas ftohjes mes Ramës e Metës që nga zgjedhjet e 21 qershorit.

“Sprapsja” e PS –së e ka rritur presionin e LSI, që tashmë e sheh veten në pozita më të forta, pasi fitoi një betejë politike që aleati po luante nën rogoz dhe mbylli një tjetë valë sulmesh “të aleancave moçalore e mafioze”.

Ndryshimet në qeveri duket se janë kushti i Metës për të rivendosur paqen me Ramën. Kryeministri po i reziston kërkesës së aleatit për të larguar të besuarit e tij nga kabineti. Nëse do të dorëzohet, ai do të pranojë përfundimisht t’u nënshtrohet numrave të Metës, i cili nga ana tjetër do të shohë një rritje të influencës së tij në qeveri dhe se mund ta orientojë atë sipas orekseve të radhës.