Më 29 shtator, kryeministri Edi Rama shfaqi në video live në faqen e tij në Facebook një dosje të verdhë, për të cilën tha se përmbante kontratën e parë noteriale të lidhur mes Ministrisë së Financave dhe kompanisë ndërtuese të kullës së njohur si “Eyes of Tirana” në sheshin Skënderbej.

Kontrata noteriale bazohej në vendimit kontrovers të 9 shtatorit, i trumbetuar se do të kalonte në pronësi të shtetit sipërfaqet dhe katet pa leje të pallateve shumëkatëshe dhe kullave të ndërtuara në zonat preferenciale të Tiranës.

Sipas Ramës, VKM-ja i kishte vënë me shpatulla pas murit ndërtuesit që kishin shkelur lejet e ndërtimit dhe deri atëherë “ia kishin hedhur duke korruptuar inspektorë, policë dhe gjyqtarë”. Ai tha gjithashtu se kontrata e parë noteriale i jepte mundësinë qeverisë që të merrte 4646 metra katrorë në kullën në qendër të Tiranës – sipërfaqe e cila do të përdorej sipas tij për “strehim social”.

Prej 29 shtatorit, BIRN ka kërkuar përmes ligjit për të drejtën e informimit një kopje të kontratës noteriale të reklamuar nga Rama, por është përballur me heshtje dhe refuzim nga Kryeministria për ta vënë në dispozicion dokumentin.

Në 18 tetor, pasi kishte kaluar afati 10 ditë pune sipas ligjit për të drejtën e informimit, BIRN i rikujtoi kryeministrisë se nuk kishte kthyer përgjigje. Pas këtij e-maili zyra e Koordinatorit për të Drejtën e Informimit në kryeministri pretendoi se kërkesa kishte mangësi formale dhe kërkoi ribërje të kërkesës sipas një modeli të gatshëm.

Edhe pasi BIRN plotësoi formalitetet, kryeministria refuzoi kthimin e përgjigjes duke sjellë në vend të saj citime prej VKM-së, në të cilat aludohej se zyra e kryeministrit nuk e kishte dokumentin me të cilin Rama u mburr publikisht. Vetëm pas ankimit të BIRN pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, kryeministria tha në korrespondecë se “nuk e zotëronte dokumentin”.

“Kryeministria, si autoritet publik, nuk e administron dokumentin që kërkohet, në kuptim të ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit””, thuhet në përgjigje duke referuar si bazë VKM 589.

Kryeministria e plotësoi detyrimin ligjor për ta referuar kërkesën në Ministrinë e Financave vetëm më 16 nëntor dhe thuajse dy muaj pas kërkesës, BIRN nuk ka marrë ende përgjigje.

Sipas një vendimi të Këshillit Kombëtar të Territorit, kontrata në fjalë është kontratë premtim shitje mes Ministrisë së Financave dhe kompanisë “Ideal Construction” sh.p.k, për kalimin në pronësi të shtetit të sipërfaqes së ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit.

Në këmbim, kompania ndërtuese përfiton një leje të re ndërtimi nga KKT me qëllim rregullimin e pasojave të shkaktuara nga ndërtimi në tejkalim të lejes së Bashkisë së Tiranës./Birn