tavo rama
Deputeti i LSI, Vangjel Tavo “lan duart” nga ndarja e votave të së majtës në Këshillin Bashkiak të qytetit. “E para LSI s’ka pse të përfshihet në debat. Nuk ka pasur kandidat për këshillin e qarkut. Të dy kandidatët kanë qenë këshilltarë të PS-së. Kështu që kushdo që përpiqet që problemin që ka brenda PS ta eksportojë drejt LSI-së e koalicionit bën shumë gabim, sepse LSI shquhet për mbajtjen e fjalës dhe të premtimeve si dhe të marrëveshjeve që ka bërë ndër vite”.” tha Tavo për Gazetën Shqiptare, duke pranuar se ka qenë në dijeni të qëndrimit të LSI, para se të niste votimi. “Nuk është LSI ajo që prish marrëveshjen, por ajo që unë nuhas si një politikan i vjetër kjo po bëhet për të nxjerrë jashtë vetes problemet e PS-së në Gjirokastër. Nuk është LSI që ka prishur marrëveshjen, sepse nëse do të kishte kandidatë atëherë mund të flitej. Por kur unë s’kisha kandidat, nuk e kuptoj. Kam mbetur i befasuar kur e dëgjova. Të thuash që prishi LSI marrëveshjen, këtë nuk e kuptoj dhe të mos gjejnë gjuhën këshilltarët e socialistëve”- deklaroi Tavo. Votat e të majtës u përçanë kur një nga këshilltarët socialistë, Sulo Muçobegaj vendosi të kandidojë për kryetar. Pavarësisht se kandidati zyrtar i socialisteve ishte Armand Hila, te gjitha votat e LSI shkuan per Muçobegajn.