Aleanca Veri Atlantike (NATO) ka reaguar lidhur me gjendjen e sigurisë ne veri të Kosovës.

Me anë të një postimi në Twitter, Alemaca ushtarake ka theksuar se KFOR është i gatshëm të ofroj siguri për vendin.

“KFOR-i po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës me organizatat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë. Nën mandatin e OKB-së, KFOR-i mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj sigurisë, i gatshëm të miratojë masat e nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt”, thuhet në reagim.

Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, KFOR kishte thënë se është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës.

Kujtojmë se, Qeveria e Kosovës ishte tërhequr nga zbatimi i vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në vendin tonë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

Ky vendim i Qeverisë për shtyrje të masës së reciprocitetit në rast të heqjes së barrikadave, erdhi pas një takimi që patën udhëheqësit e shtetit me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Vendimi i 29 qershorit i ekzekutivit kosovar parasheh lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë personat që posedojnë dokumente serbe.