Përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia është i papranueshëm dhe do të ketë pasoja të rënda. Ky është paralajmërimi që vjen për Vladimir Putin nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Rusia duhet ta dijë se lufta bërthamore nuk fitohet dot dhe nuk duhet të luftohet kurrë. Nuk po them që mundësia e përdorimit të armëve bërthamore është e lartë, por po them që kur shohim vazhdimisht këtë lloj retorike bërthamore nga Rusia, nga Presidenti Putin, duhet ta marrim seriozisht dhe për këtë arsye po i përcjellim mesazhin e qartë që do të ketë pasoja të rënda për Rusinë dhe që nuk duhet të zhvillohet kurrë një luftë bërthamore”, tha norvegjezi.

Reagimi erdhi pas deklaratave të së martës për përdorim të armëve bërthamore me rreze të shkurtër, të bëra nga ish-presidenti dhe ish-kryeministri rus, Dimitry Medvedev, i cili si një aleat i ngushtë i Putinit, mban postin e nënkryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Rusi.
Sipas analistëve, gatishmëria për përdorimin e këtyre armëve, e cila po shprehet thuajse përditë nga pala ruse, bëhet për të zmbrapsur Ukrainën dhe Perëndimin, pasi ushtria e Kievit ka fituar terren të konsiderueshëm në lindje, ku edhe po zhvillohen betejat më të mëdha.