Nëse protagonisti nuk do të vinte nga Republika e vogël e San Marinos, do të ishte vetëm një fitore në ndeshjen e parë të raundit preliminar të Conference League me kualifikimin ende të hapur. Nga ana tjetër, 0-1 me të cilin Tre Fiori mundi luksemburgasit e Fola Esch, hyn në historinë e futbollit, sepse është fitorja e parë jashtë fushe e një skuadre nga San Marino në Kupat e Europës, pas 22 vitesh pjesëmarrje. E vendosi një gol me kokë në minutën e 85 i Joel Nunez Mastroianni, sulmuesi spanjoll i ardhur nga Atletico Ascoli.

Nuk ka emra të famshëm për të forcuar skuadrën e Tre Fiorit, por një grup koheziv që i është besuar trajnerit Andy Selva, ish-sulmues i Padovës, Spalit dhe Sassuolos dhe ikonë e futbollit të San Marinos me rekorde golash dhe paraqitjesh në kombëtare. Selva po bënte debutimin e tij ndërkombëtar në krye të një klubi dhe kjo fitore “ngjitet në podiumin e arritjeve në kujtimet e mia – thotë ai -“, ku kanë një vend “goli me të cilin mundëm Lihtenshtajnin në 2004 në atë që është i vetmi sukses i deritanishëm i kombëtares dhe ngjitja në Serie B me Sassuolo duke shënuar 11 gola. Por atëherë isha në fushë dhe më duhej të mendoja vetëm për vrapimin dhe shënimin, tani menaxhoj një grup prej 24 lojtarësh dhe kjo është shumë më e vështirë”.

Një rekord që për Tre Fiori, 8 Kupa Titani dhe 8 tituj kampion në palmares, do të thotë gjithashtu të bëhet skuadra e vetme e San Marinos që ka arritur rezultate pozitive në paraeleminatoret e tre kupave europiane: 1-1 i dyfishtë me andorranët e Saint Juliàs në Champions League, një fitore e parëndësishme me uellsianët e Bala Toën në Europa League dhe tani kjo 0-1 në Conference, duke pritur kthimin në stadiumin San Marino të enjten më 14 korrik.

Rekorde që zhduken kur Selva kthehet të mendojë për fushën, sepse “skuadra më dha përgjigje të shkëlqyera, por paradoksalisht në kthim do të jetë më e vështirë. Do të duhet ta menaxhojmë mirë entuziazmin dhe të jemi gati për reagimin e Fola Esch, që e pres më agresive. Ne duam të kalojmë në raundin tjetër, atë që mund të mbahet mend si një arritje”.