Pas përfundimit të ndeshjes së Ligës së Kombeve mes Francës dhe Kroacisë, Luka Modric u bë protagonist i një gjesti që la pa fjalë gazetarët spanjollë. Në tunel, mesfushori kroat i ka kërkuar Mbappe këmbimin e fanellave. Kroacia fitoi 1-0 në shtëpinë e Francës dhe përcaktuese ishte penalltia e shënuar në minutën e pestë nga kapiteni Luka Modric. Një revansh për ish-Topin e Artë dhe Kroacinë e tij pas humbjes në finale në Botërorin 2018 në Rusi ndaj francezëve.

Ajo që e bënte të veçantë këtë fitore ishte edhe fakti se Modric ka mposhtur jo vetëm shokun e tij të skuadrës Benzema, por mbi të gjitha Kylian Mbappe, i cili deri pak javë më parë kishte qenë shumë pranë kalimit te Real Madrid, ku sipas zërave i ishte premtuar fanella me numër 10 e kroatit. Megjithatë, francezi vendosi të qëndrojë në Paris duke pranuar rinovimin e sheikut në shifra stratosferike, në vend që të shkonte në Madrid, duke krijuar pakënaqësi tek tifozët madrilenë.

Refuzimi i Mbappe ndaj Real Madrid, shkaktoi pakënaqësi ndaj tij nga ana e tifozëve Blancos, duke filluar edhe nga vetë gazetarët. Pas ndeshjes së Ligës së Kombeve, kamerat përjetësuan Modric duke përqafuar Mbappen dhe televizioni spanjoll zbuloi se mesfushori kroat i kishte kërkoi në atë moment fanellën sulmuesit francez, i cili u përgjigj pozitivisht.

Gjatë emisionit “El Chiringuito”, gazetari Josep Pedrerol mbeti fare pa fjalë nga kjo situatë: “A është e vërtetë kjo që po më thoni, që Modric ka kërkuar fanellën e Mbappes? Çfarë? Por si mund t’i kërkojë Mbappé fanellën e tij? Ai që e la Madridin në të thatë?”.

Pedrerol do të kishte dashur të shihte një qëndrim të ndryshëm nga simboli madrilen pas talljes që Mbappé i bëri merengues. “Modric është madrilen, Mbappe u tall me madrilenët dhe ai i kërkon fanellën? A është shaka? Mbappé qeshi me të gjithë madrilenët dhe Modric, lideri i Real Madrid, i kërkon atij fanellën! A nuk mendoni se është e tmerrshme?! Jam në shok, nuk dija asgjë”.