spartak-braho_0

Dy ditë pas seancës së tensionuar në parlament pasi opozita kërkoi me këmbëngulje dorëheqjen e Ilir Metës, Spartak Braho, një nga njerëzit më të besuar të Metës ka udhëtuar drejt Gjermanisë, në të njëjtin qytet ku gjendej një prej personazheve  të përfolur të kësaj historie, “Toni i Kombinatit”. Lapsi.al mësoi se Braho (Baba Taku siç e thërrasin në LSI) ka fluturuar me një linjë direkte me 6 mars drejt Mynihut. Emri i tij figuron regjistrin e daljeve të kësaj date, në sistemin TIMS. Po në të njëjtin sistem rezulton se ai është kthyer më 8 mars me një linjë tranziti nga Stambolli. Nuk dihet se cili është motivi i këtij udhëtimi kaq të shpejtë të Kryetarit të Komisionit të Sigurisë drejt qytetit ku “Toni” jeton që prej shtatorit të vitit të shkuar kur i shpëtoi një atentati. Por vjen në mesin e një situate shpërthyese kundër kryetarit të LSI dhe për këtë arsye ka ngritur pikëpyetje të shumta në opinionin publik. A u takua Spartak Braho me “Tonin”, personin që pretendohet se i kishte kërkuar Durim Bamit që ta vriste Tom Doshin për llogari të Ilir Metës? A ishte “Baba Taku” personi që e bindi atë të kthehej në Shqipëir për të dëshmuar kundër Tom Doshit?

Fatjon Skënderi mbërriti në Tiranë 2 ditë pasi Braho përfundoi udhëtimin e tij “të mistershëm”. Për të dhënë dëshminë para Prokurorëve të Krimeve të Rënda ai kishte marrë garanci se nuk do të arrestohej, një tjetër fakt që ngre pikëpyetjen nëse ishte Braho ai që i kishte dhënë garancinë që kërkonte?

Toni e kishte përgatitur ardhjen e tij ditët kur Spartak Braho gjendej në Mynih. Ai dha sinjale për këtë që prej të hënës së 9 marsit me një intervistë të botuar në gazetën Mapo. Në të ai i quante absurde akuzat e Doshit dhe thoshte se kishte dashur ta sqaronte këtë histori, por nuk kishte ardhur në Tiranë për shkak se Tom Doshi i kishte thënë se mund të arrestohej ngaqë nuk i zinte besë Saimir Tahirit. Kjo intervistë gazetës i është dhënë të paktën një ditë para botimit, në një kohë kur Braho gjedej ende në Mynih. A ia dha besën Braho se nuk do të ngacmohej nga policia e Saimir Tahirit, që gjithashtu e gjen veten nën akuzë nga deklaratat e Tom Doshit, pasi e ka patur në zyrë personin që pretendohet se ishte paguar për të vrarë dy deputetët dhe nuk e ka arrestuar apo denoncuar?

“Toni i Kombinatit”, që sipas vetë Metës është një i njohur i familjes së LSI –së (Meta tha në Opinion se ia kishte kujtuar bashkëshortja Monika Kryemadhi se cili ishte ai dhe se vetë nuk e mbante mend të ishte takuar), para se të shkonte në prokurori mohoi çdo lidhje me ngjarjen që e implikonte atë. Madje u shpreh se me Metën ishte takuar për herë të fundit në vitin 2005 gjatë fushatës elektorale në Kombinat. Ai pranoi njohjen me Durim Bamin, por sqaroi se nuk kishte biseduar asnjëherë me të për pazare parash e aq më pak vrasjesh. Versionin që bëri publik dy ditë më parë, “Toni” e ka treguar edhe para prokurorëve të krimeve të rënda. Dëshmia e tij përjashton çdo mundësi të përfshirjes së Ilir Metës në skenarin e pretenduar nga Tom Doshi dhe flet për sajesa, njësoj si Meta dhe “Babab Taku”, njeriu që i gjendet pranë kreut të LSI –së sa herë ai ndodhet në situata të vështira.

Spartak Braho po shfaqet si një ndër personat kyç të kësaj historie. Ai paralajmëroi se kishte një video të lidhur me akuzat e Tom Doshit dhe tha se Durim Bami ishte paguar nga kunati i Sali Berishës. Ishte prezent edhe në takimin e zhvilluar për këtë çështje në kryeministri mes Ramës, Metës, Tahirit dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ky takim u pasua me vendimin e Prokurorisë për të nisur hetimet kryesisht dhe me thirrjen e disa politikanëve për të dëshmuar. Por megjithëse Braho rezulton një prej personave më në brendësi të këtyre zhvillimeve, ai nuk është thirrur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të dëshmuar.