Ministria e Mbrojtjes tha se rreziku në vatrat e zjarrit në Dukat e Gjirin e Gramës është eliminuar plotësisht, ndërsa po vijon puna për izolimin e plotë të flakëve në të gjithë sipërfaqen e prekur në Gadishullin e Karaburunit, në qarkun e Vlorës.

“Gjithashtu është shuar zjarri pranë pikës kufitare Rips në fshatin Livadhja, në bashkinë Finiq, duke shmangur rrezikun për banesat. Zjarri në fshatin Gjorgos, njësia administrative Cakran, bashkia Fier po mbahet nën kontroll, ndërsa ka vijuar puna me helikopterin çek për shuarjen përfundimtare të tij”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Në Kepin e Rodonit, në Durrës është raportuar një vatër zjarri, për të cilën po vijon puna për vënien nën kontroll nga forcat në terren. Një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra është raportuar në malin e Xhyrës, në bashkinë e Librazhdit. Ai po shuhet nga forcat zjarrfikëse të bashkisë.