Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias viziton sot Tiranën. Dendias e nis ndalesën e tij në Shqipëri me një takim me kryepeshkopin Anastas. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme greke, Dendias do të takohet edhe me homologen Olta Xhaçka dhe më pas në orën 12.00 pritet të kenë një konferencë të përbashkët për mediat.

Dendias do të ketë një takim kokë më kokë edhe me kryeministrin Edi Rama.

“Bisedimet do të fokusohen në çështje me interes dypalësh, evropian dhe rajonal, me theks në rrjedhën e marrëdhënieve greko-shqiptare në të gjitha fushat, përgatitjet për Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), zhvillimet në Ukrainë pas pushtimit rus, në rajonin e Mesdheut Lindor dhe në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor” informon zyra e shtypit e Ministrisë.

Një ndër temat e bisedimeve në axhendën diplomatike të ministrit pritet të jenë dhe çështja e pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Shqipëria dhe Greqia kanë ngritur një komision të përbashkët teknik për të diskutuar një marrëveshje mes të dy vendeve për çështjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Greqi.