Projekti i ri i Miley Cyrus “Flowers” është bërë kënga më e transmetuar në një javë të vetme në historinë e Spotify. Kompania i bëri homazhe Cyrus, duke postuar momentin historik në Twitter dhe duke vënë në dukje se “ajo mund të blejë lulet e saj”.

“Faleminderit shumë @Spotify dhe fansat e mi të mrekullueshëm”, iu përgjigj ajo postimit në llogarinë e saj në Twitter. Sipas ‘Variety’, mbajtësi i mëparshëm i rekordit është “Butter” i BTS me 99.37 milionë transmetime  në shtatë ditët e para.

Miley publikoi këngën dhe videon e re më 12 janar. Menjëherë fansat nisën të spekulojnë se kënga e re përmban disa referenca për marrëdhënien e saj me ish-bashkëshortin Liam Hemsworth, sepse disa nga tekstet dukej se tregonin për disa ngjarje gjatë kohës që ishin së bashku.

Dyshja u takuan në vitin 2009 gjatë xhirimeve të ‘Last Song’ , adaptimi filmik i romanit të njohur të Nicholas Sparks. Ata u fejuan në 2012 por vendosën t’i jepnin fund  në shtator 2013.

Pas disa vitesh ndarje, cifti u rikthyen bashkë në fillim të 2016. Cyrus dhe Hemsworth më pas u martuan në dhjetor 2018 përpara se të ndaheshin përfundimisht në gusht 2019.