Tashmë është shumë më tepër se një ide. Milan e ka seriozisht për Marco Asension, spanjollin e Real Madrid. Klubi kuqezi po ecën konkretisht aq shumë, sa ditët e fundit, ka pasur një takim të parë me stafin e lojtarit, në të cilin është paraqitur një propozim serioz. Përgjigja e atyre që administrojnë interesat e Asensios mund të përmblidhet si më poshtë: “Interesimi i Milan është një krenari, e ardhmja në Milano është një opsion, ka edhe oferta nga disa klube angleze përfshirë Arsenalin, ne jemi të gatshëm të vlerësojmë çdo mundësi”.

Asensio nuk ka marrë asnjë vendim për momentin. Ai do të vendosë vetëm në fund të sezonit, kur roli i tij te Real Madrid të bëhet më i qartë, pas një tjetër përballjeje me presidentin Perez. Spanjolli kërkon garanci teknike: konkurrenca nuk do të mungojë, mes ardhjes së Mbappè, paprekshmërisë së Benzema dhe më pas janë Vinicius dhe Rodrigo.

Kontrata e tij skadon në qershor 2023. Real Madrid ka paraqitur tashmë ofertën e rinovimit në të njëjtat shifra si kontrata ekzistuese prej rreth 5 milionë, me heqje dorë nga bonuset. Propozimi i rinovimit u paraqit për të shmangur humbjen e lojtarit nga janari 2023 pa asnjë kosto. Reali kërkon një përgjigje deri në fund të sezonit, sepse nëse vjen një kërkesë nga jashtë do të merret në konsideratë. Zërat që vijnë nga Valdebebas thonë se askush nuk është emocionuar nga rendimenti sezonal i sulmuesit.

Real e vlerëson Asension 25/30 milionë. Një shifër që Maldini është në gjendje ta negociojë nëse ndodh një ngërç mes Asensios dhe Real Madrid në muajt e ardhshëm. Milani është vënë tashmë në punë. Milan mund të bëhet trampolina për sulmuesin për të rifituar kombëtaren spanjolle, të humbur kohët e fundit, edhe në funksion të Kupës së Botës. I blerë nga Real Madrid në vitin 2015, kur në atë kohë e kërkonte edhe Roma, shtatë vjet më vonë, spanjolli ka një mundësi të re për të luajtur në Serie A.