Gabriel Jesus është në qendër të merkatos e për brazilianin janë duke u sfiduar dy klube të mëdha. Portali britanik 90min.com ka zbuluar se Milani është duke vëzhguar terrenin për Gabriel Jesus, sulmuesin që do të largohet nga Manchester City pas blerjes së Erling Haaland nga Citizens. Klubi anglez e vlerëson brazilianin 50 milionë euro, shifër për të cilën Milani as nuk do të ulej në tryezën e bisedimeve. Megjithatë, duhet thënë se skadimi i kontratës në vitin 2023 ka tërhequr mbi brazilianin vëmendjen e disa skuadrave, përfshirë edhe Real Madrid, ndaj konkurrenca është e madhe dhe e ashpër.

Ndërkohë Gabriel Jesus, i cili në fëmijëri kishte deklaruar se ishte një tifoz i madh i Milanit, ka bërë të ditur se do të sqarojë të ardhmen e tij jo më vonë se javën e ardhshme, pas përfundimit të ndeshjeve të kombëtares.

Sigurisht që profili i sulmuesit do të ishte ideal për kuqezinjtë, të cilët po përpiqen të kompletojnë repartin e tyre me një lojtar teknik dhe aktiv pas blerjes, vetëm për t’u zyrtarizuar, të Divock Origit. Me pak fjalë, çështja do të mbetet e hapur dhe nuk përjashtohet që Maldini dhe Massara të tentojnë të negociojnë me City, me shpresën për të gjetur formulën e duhur për të sjellë talentin brazilian në Milano.