Hapi i parë është bërë dhe objektivisht ishte ai më i thjeshti. Milani ka gjetur marrëveshjen me Sven Botman, qendërmbrojtësin për të cilin Maldini dhe Massara, me miratimin e Stefano Piolit, kanë vendosur ta synojnë për sezonin e ardhshëm. Bazat ishin hedhur tashmë që në janar, aq sa lojtari kishte refuzuar një ofertë të pasur nga Neëcastle, prej aty në gjetjen e akordit me kuqezinjtë ishte e lehtë: një kontratë 3.5 milionë në sezon dhe një shtrëngim duarsh që do të bëhet nënshkrim vetëm pasi të bindet edhe Lille.

Dhe këtu cështja, natyrisht, bëhet mjaft e ndërlikuar. Klubi francez është i vetëdijshëm për dëshirën e Botman për një ndryshim të ambjentit dhe nuk do ta pengojë largimin e tij, por nuk dëshiron të humbasë atë që konsiderohet kapital, pa bërë paratë e duhura. E arkëtimi, në rastin konkret, do të thotë 40 milionë euro, që është në fakt çmimi i vendosur në janar, nga i cili deri më tani Lille nuk ka lëvizur asnjë cent.

Për këtë arsye, muajt e ardhshëm do të jenë të rëndësishëm për të gjetur një marrëveshje dhe për të kryer një transfertë që, në Milano, e konsiderojnë themelore. Maldini dhe Massara prej kohësh kanë hapur bisedimet me Lille dhe po punojnë për të ulur stekën, duke u fokusuar pikërisht tek dëshira e Botman për të ardhur te Milan. Në tryezë, natyrisht, është edhe formula. Ka mundësi që njerëzit e merkatos të kuqezinjve të përpiqen të sigurojnë një huazim me të drejtën e blerjes që do të bëhej detyrim në kushte të caktuara. Një formulë që edhe kampionët e Francës mund ta pranojnë, por gjithnjë duke pasur parasysh se Botman është një lojtar i pëlqyer nga shumë klube dhe për rrjedhojë, konkurrenca nuk kontribuon në uljen e çmimit.

Ndërkohë, Milan ka rrëmbyer një “po” nga lojtari dhe ky nuk mund të mos konsiderohet një hap i rëndësishëm. Nga tani, deri në korrik, ka shumë kohë për të rënë dakord me Lille dhe për ta mbyllur transferimin e mbrojtësit.