Ish-presidenti Ilir Meta ka dalë në konferencën e parë të Partisë së Lirisë, një ditë pasi Lëvizja Socialiste për Integrim ndryshoi emrin. Meta ka bërë një thirrje ndaj kryeministrit Edi Rama duke i kërkuar që të shkarkonte nga doganat shqiptare atë që ai e konsideroi si “banda e patronazhistëve”.  Ish-presidenti tha se me anë të shpërdorimit të detyrës dhe të punësimit nepotik në dogana, të ardhurat e vendit ishin shumë më të ulëta në krahasim me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Qytetarët shqiptarë ishin ata që u mbështetën më pak nga qeveria gjatë krizave të kaluara, si gjatë pandemisë ashtu edhe gjatë krizës së rritjes së cmimeve. Ajo që është edhe më e qartë dhe e papranueshme është se qeveria vijon të paguajë dhjetëra miliona euro për aferën e inceneratorëve. Vazhdon të marrë borxhe për të mbështetur oligarkët me të cilët është e lidhur. Kjo situatë provohet edhe nga skandalet më të fundit siç janë edhe doganat shqiptare. Drejtimi i doganave nga kontrabandistë, nepotizimi për vendet e punës, tregon qartë se çdo sektor i qeverisjes është kthyer në sektor abuzimi. Prandaj dua t’i bëj thirrje Ramës të heqë urgjentisht nga doganat gjithë bandën e patronazhistëve. Situata në dogana është edhe më e rëndë. Të ardhurat janë më pak se në çdo vend tjetër në Ballkanin Perëndimor. Janë 20% më pak se në Maqedoninë e Veriut. Kjo qeveri ua bën qytetarëve edhe më të pashpresë të ardhmen në këtë vend.”, tha Meta. 

Tani si kryetar i një partie opozitare, Meta ngriti shqetësimin për situatën ekonomike në vend, duke sjellë në vëmendje raportet.