Ilir Meta në një postim në rrjetet sociale, pas deklaratës së parë për mediat në ditën e tij të parë jashtë zyrës së Presidentit, pas mbarimit të mandatit më 24 korrik, thotë se në LSI nuk është rikthyer këtë të hënë për të marrë drejtimin e kësaj partie.

“Nuk u riktheva sot për të rimarrë drejtimin e kësaj partie, por për të sjellë mesazhin e popullit të 2 marsit, pjesë e të cilit ka qenë edhe LSI në ato momente, si dhe për t’u bashkuar të gjithë së bashku në triumfin e mesazhit të 2 marsit: Sovraniteti në Shqipëri i përket popullit”, shkruan Meta.

Ai thekson se referendumi “do të jetë “Shpata e Demokleut” mbi të gjithë ata që abuzojnë me besimin e popullit të Shqipërisë dhe mbi Esad Pashët e rinj, që kanë tradhtuar interesin kombëtar dhe i kanë ngulur thika pas shpine Kosovës”.

Postimi i Ilir Metës:

SOVRANITETI NË SHQIPËRI I PËRKET POPULLIT. 🇦🇱
PARTIA E REFERENDUMIT NA PRET! 🇦🇱

Drejtimin e LSI e lashë me vullnet të lirë para 5 viteve për arsye të rrethanave, që u krijuan në vend. Nuk u riktheva sot për të rimarrë drejtimin e kësaj partie, por për të sjellë mesazhin e popullit të 2 marsit, pjesë e të cilit ka qenë edhe LSI në ato momenten, si dhe për t’u bashkuar të gjithë së bashku në triumfin e mesazhit të 2 marsit: Sovraniteti në Shqipëri i përket popullit.

Kjo do bëhet e mundur në mënyrë të padiskutueshme.

Partia e referendumit na pret!

Kjo zgjidh çdo problem, nga oligarkët te kapja e shtetit. Referendumi do të jetë “Shpata e Demokleut” mbi të gjithë ata që abuzojnë me besimin e popullit të Shqipërisë dhe mbi Esad Pashët e rinj, që kanë tradhëtuar interesin kombëtar dhe i kanë ngulur thika pas shpine Kosovës.