Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar se grupmoshat e tretë janë më të rrezikuarat për të përfunduar drejt varfërisë ekstreme si rezultat i situatës së vështirë ekonomike.

Meta me rastin e 1 tetorit, Ditës Ndërkombëtare e të Moshuarve është shprehur se rritja e pensionit ndaj grupmoshave të treta është një detyrim madhor që duhet të realizohet.

“1 Tetori, Dita Ndërkombëtare e të Moshuarëve

Qëllimi i kësaj dite për të rritur sensibilizimin për më shumë përkujdesje për personat e moshës së tretë, ka një rëndësi akoma dhe më të madhe për vendin tonë këtë vit, pasi të moshuarit në Shqipëri janë ata që po goditen më shumë nga rritja e kostos së jetesës.

Pensionet e ulëta janë të pamjaftueshme për të përballuar rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, aq më tepër të medikamenteve apo shpenzimeve mjekësore.

Personat e grupmoshës së tretë janë më të rrezikuarit për të përfunduar drejt varfërisë ekstreme si rezultat i kësaj situate të vështirë.

Të moshuarit në Shqipëri meritojnë një trajtim dinjitoz dhe jo paketa lëmoshe dhe qesharake të Qeverisë për përballimin e krizës së çmimeve.

Rritja e pensioneve është një detyrim madhor për brezin e moshës së tretë”, thekson Meta.