Presidenti Meta ka kthyer për rishqyrtim ligjin për “Shtetësinë” të miratuar më 29 korrik nga Parlamenti. Sipas Metës ky ligj nuk ka reflektuar kërkesat e Institucionit të Presidentit, i heq atij kompetenca dhe është antikushtetues. Ligji për shtetësinë, i iniciuar nga Ministria e Brendshme përcakton që marrja dhe lënia e shtetësisë shqiptare të bëhet sipas udhëzimeve të lëshuara nga kjo ministri.

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim një tjetër ligj të miratuar një ditë përpara ndryshimeve Kushtetuese nga ligjvënësit në Parlament.

Ligji “Për Shtetësinë” i cili ndodhet në tryezën e Presidentit që prej datës 4 gusht, sipas Metës nuk ka pasur një konsultim të mirëfilltë me institucionet përgjegjëse në trajtimin e kërkesave për dhënien apo lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare.

Meta shprehet se ligji me nismë të Ministrisë së Brendshme nuk gjen asnjë reflektim të komenteve të dhëna nga Institucioni i Presidentit në fazën fillestare të hartimit të draftit të këtij ligji, dhe se për miratimin e tij, Kushtetuta kërkon shumicë të cilësuar.

Konkretisht kreu i shtetit kundërshton nenin 8 të ligjit për Shtetësinë që përcakton fitimin e shtetësisë me natyralizim. Sipas ligjit, shtetësia shqiptare fitohet me natyralizim nga i huaji që ka paraqitur kërkesë dhe plotëson kushtet e nevojshme, por në pikën 7 të tij shkruhet se “Dokumentacioni i nevojshëm për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim, përcaktohet me udhëzim të ministrit”, sipas Metës duke i hequr kompetencën presidentit të republikës dhe duke ia deleguar Ministrisë së Brendshme.

Kreu i shtetit kundërshton edhe nenet 9, 12 dhe 18 dhe 19 duke thënë se po ashtu shkelin Kushtetutën.

Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës

15 gusht 2020

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 113/2020 “Për shtetësinë”.

Një ligj kaq i rëndësishëm dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare si dhe në politikën e shtetit për dhënien e shtetësisë shqiptare, nuk ka patur një konsultim të mirëfilltë me institucionet përgjegjëse në trajtimin e kërkesave për dhënien apo lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare.

Kriteret e përcaktuara në ligj kufizojnë jo vetëm kompetencën ekskluzive të Presidentit të Republikës për dhënien dhe lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare, por cenojnë edhe të drejtat e subjekteve për të aplikuar/marrë shtetësinë shqiptare përmes kritereve jo proporcionalë, në kundërshtim me nenet 19 dhe 92 të Kushtetutës.

Ky ligj ngatërron konceptin e “fitimit” të shtetësisë shqiptare, si një e drejtë kushtetuese e patjetërsueshme e çdo njeriu që lind brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, apo nga paraardhës shqiptarë, me “marrjen” e shtetësisë shqiptare nga çdo subjekt tjetër që nuk ka patur më parë lidhje me Republikën e Shqipërisë.

Ligji krijon pasiguri për sa i përket procedurave të paqarta për aplikimin për shtetësi shqiptare.

Ky ligj shkel parimin e shmangies së gjendjes pa shtetësi sanksionuar nga Konventa për Statusin e Personave pa Shtetësi, në të cilën Republika e Shqipërisë ka aderuar që në vitin 2003.

Ky ligj, përmban gabime edhe në përmbajtje apo mënyrën si është zbardhur, duke referuar në terma që nuk rregullohen në përmbajtjen e tij, si dhe vijon të rëndojë skemën institucionale duke krijuar agjenci pas agjencie, pa asnjë funksion të qartë ligjor, në shkelje të rregullimeve të ligjit në fuqi për administratën shtetërore dhe në rëndim arbitrar të buxhetit të shtetit, për sa kohë dublohen detyrat që duhet të përmbushen nga organe si Policia e Shtetit apo Shërbimi Informativ Shtetëror.

Ky ligj cenon direkt Konventën Europiane “Për shtetësinë” ratifikuar nga Republika e Shqipërisë, duke bërë diferencim dhe trajtuar në mënyrë diskriminuese, pas dhënies së shtetësisë shqiptare, shtetasit që nuk e kanë pasur më parë atë, në raport me shtetasit e vetë shtetit.