Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe pritet të dorëzohen emrat e propozuara nga deputetët socialist për presidentin/en e re. Por përpara kësaj, Rama ka zgjedhur të komentojë kreun aktual të shtetit. Teksa fillimisht e cilësoi si presidentin më skandaloz të historisë shqiptare, Rama foli edhe për medaljet që Meta ka shpërndarë gjatë mandatit të tij. Sipas kreut të qeverisë, presidenti Meta e ka bërë vendin qesharak pasi dekoron figurat që kanë ndërruar jetë. Rama ka thënë se në Shqipëri do të vendoset ligji rregullator i presidentit dhe ligji për medaljet e akorduara nga ky institucion.

“Sistemi i titujve të medaljeve është sistem i njohur, nuk ka 100 sisteme dhe është o njëri o tjetri, Shqipëria bën një përjashtim flagrant dhe është i vetmi vend në botë ku falë Metës dekorohen të vdekurit dhe u jepen titujt dëshmorëve të Ilir Metës. Meta e ka bërë Shqipërinë qesharake me dekret presidencial dhe kjo do të ndryshojë, është e rëndësishme për shtetin, për seriozitetin e një shteti dhe do kemi një shtet më serioz duke pasur një figurë më serioze, një ligj për institucionin e presidentit, një sistem titujsh e medaljesh serioz, siç e ka gjithë planeti”, tha Rama.