Duke iu referuar raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ilir Meta kërkon shkurtimin e pagesave të PPP-ve nga qeveria dhe rritjen e mbështetjes buxhetore për përballimin e pasojave të pandemisë.

Presidenti shkruan në Facebook se raporti i FMN për janarin e rendit Shqipërinë të fundit në rajon për mbështetjen fiskale për pandeminë, duke sjellë dhe vendet e rajonit. Ai thekson se COVID-19 nuk luftohet me propagandë.

Reagimi i Metës:

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e muajit janar 2021, mbi nivelin e mbështetjes fiskale të drejtpërdrejtë për pandeminë, e rendit Shqipërinë të fundit në rajon.

Niveli i mbështetjes buxhetore rezulton rreth 4.5 herë më pak se mesatarja e vendeve të rajonit.

Shqipëria ka mbetur në nivelin 1.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto sa i përket mbështetjes kundër COVID-19, ndërkohë Maqedonia e Veriut ndodhet në nivelin 2.6% të PBB, Bosnje-Hercegovina në 5.1% të PBB, Kosova 5.6% e PBB, Serbia 5.6% e PBB dhe Mali i Zi në 8% të PBB.

COVID-19 nuk luftohet me propagandë. Numri i të prekurve dhe i jetëve të humbura po rritet çdo ditë.

Qeveria duhet të shkurtojë pagesat për PPP-të dhe të shtojë mbështetjen buxhetore për përballimin e pasojave të pandemisë.

Asgjë nuk ka më shumë vlerë se shëndeti dhe jeta e qytetarëve, që duhet të jenë prioriteti ynë absolut!

 

buxhetFMNmeta