E ardhmja e Lionel Messit është e destinuar të jetë një nga temat më të diskutuara nga tani deri në verë, kur skadon kontrata faraonike që e lidh argjentinasin me Barcelonën. Në javët e fundit janë bërë gjithnjë e më insistues zërat që e afrojnë atë me Paris Saint Germain dhe France Football, revista prestigjioze franceze që jep Topin e Artë, ka arritur deri atje sa të vendosin Pleshtin në faqen e parë të veshur me uniformën e PSG dhe Parc des Princes në sfond. Një shenjë se gjërat po lëvizin në atë drejtim.

Në letër, Messi tashmë mund të nënshkruajë një marrëveshje me parisianët në muajt e ardhshëm dhe në Francë janë të sigurt që manovrat e mëdha për ta bindur atë të pranojë propozimin e Al-Khelaifi janë në zhvillim të plotë. “Asat nën mëngë” që PSG po përpiqet të luajë janë të ndryshëm: nga njëra anë janë kolegë si Di Maria, që do të ishte i kënaqur të qëndronte nëse do të vinte Messi e Neymar, me të cilin Leo është në kontakt të vazhdueshëm e që sipas France Football po impenjohet shumë për t’i treguar atij harmoninë e madhe që mbretëron në dhomat e zhveshjes së Parisit; nga ana tjetër është Mauricio Pochettino, i formuar edhe ai në shkollën e Newell’s Old Boy dhe që padyshim do të bënte letra false për të patur mundëinë ta trajnojë.

Megjithatë, ekziston çështja ekonomike: Messi ka një kontratë kolosale, me vlerë mbi 70 milion euro neto në sezon, por duke marrë parasysh moshën e tij (do të mbushë 34 vjeç në qershor) dhe krizën ekonomike që po kalon bota e futbollit, do ti duhet të bëjë kompromise, qoftë nëse qëndron në Barcelonë apo vendos të ndryshojë ajër. Sipas rindërtimit të France Football, PSG mund të provojë një manovër të stilit Beckham, duke plotësuar pagën me lloje të tjera shpërblimesh dhe me mbështetjen për projektet pas karrierës. E gjithë kjo, natyrisht, nëse Mbappé do të qendronte gjithashtu: në rast të shitjes së yllit të kombëtares së Francës do të ishte më e lehtë për të përmbushur kërkesat e Leos, por projekti taktik i Pochettino dhe perspektivat e klubit duhet të ndryshojnë rrënjësisht.