Boksieri meksikan, Cancelo Alvarez, përmes një postimi në Twitter e ka kërcënuar sulmuesin e Argjentinës, Lionel Messi, për arsye se thotë se fituesi i shtatë herë të Topit të Artë e përdhosi flamurin meksikan duke e fshirë dyshemenë me të.
Futbollistët e Argjentinës ishin shumë të lumtur pas fitores shumë të rëndësishme të shtunën kundër Meksikës, siç shihet në pamjet e publikuara në rrjetet sociale.
Por, kjo festë e tyre mesa duket e ka tërbuar boksierin e kategorisë së mesme, i cili pretendon që Messi e shkelmoi fanellën e Meksikës.
”A e patë Messin duke e pastruar dyshemenë me flamurin dhe fanellën tonë? Ai le t’i lutet zotit se nuk do ta gjej. Unë e respektoj Argjentinën, ai duhet ta respektojë Meksikën! Nuk po flas për vendin në tërësi, por për marrëzinë që e bëri Messi,” ka shkruar ai.
Kujtojmë se Argjentina triumfoi me rezultat 2-0 dhe golin e parë e shënoi sulmuesi i PSG’së në minutën e 64’të.
Ndërsa, fitoren e parë në këtë kampionat botëror për skuadrën e udhëhequr nga Lionel Scaloni e vulosi mesfushori, Enzo Fernandez.