Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias kërcënoi fort vendin tonë kur në takimin me homologen e tij, Olta Xhaçka, iu përgjigj ashpër kërkesës së ministres shqiptare për të zgjidhur çështjen e pronave të komunitetit çam.

“Të mos krijojmë çështje që nuk janë ekzistuese sepse kjo gjë do na çojë në pasojat e niveleve të shumëfishta ku Greqia pastaj do të vendosë çështje të tjera që kanë të bëjnë me itinerarin tuaj në Europë.” – u shpreh Dendias, kur ministrja Olta Xhaçka përmendi zgjidhjen e çështjes së pronave të çamëve në Greqi.

Por pse shkoi situata kaq larg? A e mori Dendias interesimin e Xhaçkës si provokim?

Ishte ministrja shqiptare ajo që në konferencën e përbashkët për shtyp, shfrytëzoi 40 sekondat e fundit të fjalës së saj për të përmendur abrogimin e ligjit të luftës dhe zgjidhjen e çështjes së pronave të çamëve në Greqi.

“Ne besojmë dhe shpresojmë që konstruktiviti dhe vullneti i mirë për të kërkuar një zgjidhje të pranuar reciprokisht në një çështje kaq të vështirë sa ajo e hapësirave detaje mund të shërbejnë edhe si një shëmbull i qasjes konstruktive në të cilat vendet tona mike mund të fillojnë diskutime edhe për çështje të tjera sado të vështira që kemi trashëguar nga historia dhe nga periudha tragjike e luftës së Dytë Botërore siç ëhstë nevoja për të abroguar ligjin e luftës apo çështjet e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të njeriut të komunitetit çam”, u shpreh Xhaçka.

Por, teksa u shpreh dakord për kërkesën e Tiranës për abrogimin e ligjit të luftës, ministri i jashtëm grek, Dendias ishte i prerë në qëndrimin për pronat e çamëve. Ai foli për një çështje që nuk ekziston madje kërcënoi duke thënë se nëse vijohet më tej, mund të ketë pasoja, duke përmendur rrugën europiane të Shqipërisë.

“Dua të jem i çiltër me ju, kjo do të thotë që ne duhet të diskutojmë mbi çështje praktike, çështje që kanë të bëjnë me palën greke. Nuk mendoj se janë gjërat ashtu fiks siç paramendohen. Të mos krijojmë çështje që nuk janë ekzistuese sepse kjo gjë do na çojë në pasojat e niveleve të shumëfishta ku Greqia pastaj do të vendosë çështje të tjera që kanë të bëjnë me itinerarin tuaj në Europë”, tha Dendias.

Kjo deklaratë vlen si kujtesë se pas buzëqeshjeve, shtrëngimeve të duarve dhe qëndrimeve për partneritet, Greqia nuk lëviz asnjë centimetër nga qëndrimet e saj kundrejt komunitetit shqiptar atje. Dhe jo vetëm kaq, grekët ndihen komodë të kërcënojnë në mes të Tiranës në mënyrën më të ashpër se nëse Greqia provokohet, përgjigja do të jetë disproporcionale..