Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar nxënësit dhe mësuesit për nisjen e ditës së parë të shkollës duke kujtuar vështirësitë që mësuesit dhe nxënësit do të ndeshin këtë vit.

“Urime më të mira për mësuesit tanë që këtë vit do të përballen me orare të zgjatura dhe vështirësi më të mëdha se vitet e tjera. Jam i bindur se me përkushtimin për profesionin dhe kujdesin për nxënësit, do t’ia dilni me sukses për të përballuar këtë realitet të ri dhe sfidues. Një urim i veçantë nga zemra për vogëlushët që sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Askush nuk do donte që dita juaj e parë e rrugëtimit drejt dijes të ishte si kjo e sotmja në mes të pandemisë, shoqëruar me masa të veçanta që e bëjnë të vështirë këtë fillim shkolle”, tha Basha.

Basha kërkon që nxënësit të tregohen të kujdesshëm duke ruajtur distancën në mënyrë që të shpëtojnë jetë njerëzish.

“Urime të gjithë gjimnazistëve në këtë vit sfidues! E di se do ta keni të vështirë të ruani distancën, pasi e tillë është edhe energjia e moshës, por ju lus të silleni me vetëdijen se nga sjellja juaj varen jetë njerëzish. Normaliteti do rikthehet sërish, e ju mund të kapni kohën e humbur me njëri-tjetrin. E vetmja gjë që nuk kthehet është jeta. Pranda lutja ime për të gjithë ju është: respektoni masat, ruani veten dhe njëri-tjetrin”, u shpreh Basha.