Në mbledhjen e sotme të këshillit të ministrave, është vendosur në lidhje me shpërblimin e fundvitit për administratën. Janë vetëm tre kategori që do të përfitojnë shpërblim ndërkohë që pjesa tjetër nuk është përfshirë në skemë. Konkretisht skema e shpërblimit është përcaktuar për punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerit Publik dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Vendimi

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.929, DATË 17.11.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE PËRDORIMIN E FONDIT TË VEÇANTË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të nenit 12, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
1. Pika 9, e vendimit nr.929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Përjashtimisht për vitin 2021, fondi i veçantë i njësive të qeverisjes së përgjithshme nuk përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve.

Ky përcaktim nuk zbatohet për punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerit Publik dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Masa e shpërblimit nuk tejkalon nivelin e një page mujore. Efektet financiare për shpërblimin e punonjësve të sipërpërmendur përballohen nga fondi për pagat e personelit, për institucionet e përmendura në këtë pikë, miratuar në buxhetin e vitit 2021.”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ