“Presidenti 0%. Meritën e ka stafi, lojtarët. Unë kam qenë në hije. S’kam bërë kontribut fare”, një frazë që nuk para dëgjohet nga goja e presidentëve të klubeve në Shqipëri, por Refik Halili ka tentuar gjithnjë të bëjë gjëra ndryshe. E këtë herë titullin nuk ka dashur ta veshë me meritat e tij, duke ia atribuuar gjithcka stafit teknik e lojtarëve. “Çdo trofe ka vlerën e vet. Ka sakrificën e futbollistëve. Unë jam mirënjohës ndaj çdo futbollisti në të shkuarën dhe në vazhdimësi për kontributi dhe për sakrificën që ka bërë për klubin tonë. Jam shumë i lumtur me këtë grup futbollistët që jam shpallur kampion, siç kam qenë i lumtur dhe në vitet e tjera, por ky ka qenë një kampionat shumë i bukur”.

Numri 1 i klubit e thellon idenë, duke dhënë opinionin e tij për drejtuesit dhe duke vlerësuar në radhë të parë tifozët: “Kjo vjen si rezultat dhe nga dora e stafit, në veçanti nga drejtori Osmani dhe nga trajneri jonë Shehi. Pa tifozët nuk ka vlerë. Frymëmarrja, oksigjeni i skuadrës tonë është tifozeria jonë, që është një tifozeri e mrekullueshme. Ja dedikojë familjes time, familjes së madhe bardheblu, futbollistëve dhe familjeve të futbollistëve për sakrificën e tyre”.

Në fund edhe një rikonfirmim për Shehin, megjithëse akordi mes të dyve ishte mësuar më herët: “Trajneri do të jetë pjesë e skuadrës tonë, është e padiskutueshme kjo. Kemi arritur një marrëveshje shumë të shpejtë të dy bashkë. Të dy kemi dëshirë që këtë klub ta çojmë sa më parë, gjithashtu me stafin e drejtorin, Tefik Osmani i cili ka qenë një njeri që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, ka qenë një drejtor shumë i aftë. I gjithë stafi, pa përjashtim, deri te punonjësi më me vlerë që kemi, Hajdari, i falënderojmë të gjithë. Tani jam i gëzuar dhe më lini të gëzoj e festoj” përfundoi Halili.